Emre Aytekin
24 Janar 2019•Përditësim: 24 Janar 2019
KARAKAS (AA) - Pasi kreu i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, shpalli veten si "president i përkohshëm" i vendit, Meksika dhe Bolivia, përkundër njohjes së tij nga SHBA, Kanadaja dhe disa vende të Amerikës Jugore, njoftuan se do të vazhdojnë të njohin presidentin Nicolas Maduro dhe qeverinë e tij si përfaqësues legjitim të Venezuelës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i Bolivisë, Evo Morales, në një deklaratë në Twitter ka shkruar se Venezuela po përballet me një sulm imperialist, duke shprehur solidarizim me popullin e Venezuelës.
"Ne ndodhemi pranë popullit të Venezuelës dhe Nicolas Maduros në këto orë kritike, ku kthetrat e imperializmit kanë kapur në fyt demokracinë dhe të drejtën që popujt e Amerikës Jugore të përcaktojnë fatin e tyre. Që këtej e tutje, popujt e Amerikës Jugore nuk do të jenë më si oborri prapa shtëpisë së SHBA-së", ka thënë Morales.
Ndërkaq, Jesus Ramirez Cuevas, zëdhënësi i presidentit të Meksikës Manuel Lopez Obrador, ka theksuar se do të vazhdojnë të njohin Maduron si president i Venezuelës.
"Do të vazhdojmë qasjen tonë të paanshme në krizën e Venezuelës. Qeveria e Meksikës po ndjek nga afër situatën në Venezuelë. Aktualisht, nuk ka ndonjë ndryshim në marrëdhëniet tona me vendin dhe qeverinë", është shprehur Cuevas duke folur për televizionin "Mileno".
Ndryshe, Guaido shpalli sot veten president gjatë protestave anti-qeveritare në Karakas.
"Për t'i dhënë fund uzurpimit të qeverisë, për të formuar qeverinë kalimtare dhe për të organizuar zgjedhje të lira, betohem për të marrë përsipër detyrën e presidentit të Venezuelës", tha Guaido gjatë fjalimit të tij në protestë.
Ndërkaq, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se mbështet Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës.
Po ashtu, edhe Kanadaja dhe vendet e amerikës jugore si Brazili, Kolumbia dhe Paraguaji, kanë njoftuar njohjen e Guaidos si presidenti të përkohshëm të Venezuelës.
Kohë më pas, presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, njoftoi ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me SHBA-në, të cilën e akuzoi për "organizim të puçit kundër qeverisë legjitime" të vendit të tij, dhe u dha afat prej 72 orëve diplomatëve amerikanë të largohen nga Venezuela.