Umar Farooq
01 Maj 2019•Përditësim: 01 Maj 2019
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, mbrëmë deklaroi se presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, ka qenë i gatshëm që të braktisë vendin në kulmin e rebelimit të djeshëm, por autoritetet e Rusisë e kanë bindur që të qëndrojë në Caracas, raporton Anadolu Agency (AA).
“Maduron tashmë një kohë askush nuk e ka parë. Avionin e kishte të gatshëm në pistë. Ishte i gatshëm në mëngjes të braktisë vendin, ndërsa, siç mësojmë, Rusia e ka bindur që të qëndrojë”, tha Pompeo për CNN.
Pompeo po ashtu pohon se më shumë zyrtarë të lartë të administratës së Maduros ishin të gatshëm të braktisin Venezuelën.
Autoritetet e SHBA-ve tërësisht kanë mbështetur tentativën e djeshme për grusht shteti të cilin dje në Venezuelë e ngriti lideri i opozitës dhe shefi i vetëshpallur i përkohshëm i shtetit, Juan Guaido.
Qeveria e Venezuelës filloi aksion për shkatërrimin e tentimit të grusht shtetit, ndërsa në rrugë ndodhën trazira në të cilat u lënduan disa persona.
Guaido edhe sot u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në rrugë, ndërsa të njëjtën gjë e bëri edhe presidenti Maduro, i cili kërkoi nga populli që të qëndrojnë në mbrojtje të rendit shtetëror.