Ekip
01 prill 2021•Përditësim: 01 prill 2021
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro deklaroi se marrëveshjet e nënshkruara nga Venezuela dhe Rusia në sektorë të shumtë demonstrojnë marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit që ekzistojnë midis dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne po demonstrojmë forcën e madhe të marrëdhënieve gjithëpërfshirëse, punuese dhe bashkëpunuese që ekzistojnë midis Rusisë dhe Venezuelës. Kjo trajektore e jashtëzakonshme është konsoliduar gjatë këtyre viteve në revolucion”, tha Maduro.
Komentet e Maduros i referohen marrëveshjeve të bashkëpunimit që Rusia dhe Venezuela i nënshkruan të martën në mbrëmje në fushat e shëndetësisë, financave, arsimit, energjisë, ushqimit dhe sigurisë.
Këto marrëveshje përfshijnë fillimin e një axhende të re 10-vjeçare të përbashkët të bashkëpunimit midis dy vendeve të cilën Maduro e quajti "Axhenda 2021-2031".
Në fushën e shëndetësisë, për shembull, Venezuela mori 50 mijë doza EpiVacCorona, vaksina e dytë e zhvilluar nga shkencëtarët rusë pas Sputnik V.
Maduro vlerësoi Rusinë për prodhimin e një vaksine të re që është "100 për qind efektive dhe e fuqishme" në luftimin e COVID-19.
Presidenti i Venezuelës shtoi se laboratori që prodhon dhe shpërndan vaksinën e re është i njëjti laborator rus që prodhon insulinë për Venezuelën.
Venezuela tashmë ka marrë 200 mijë doza të vaksinës Sputnik V. Në fushën e ekonomisë, Maduro tha se Rusia dhe Venezuela do të vazhdojnë të punojnë ngushtë në sektorin e energjisë.
"Themelimi dhe konsolidimi i OPEC plus është një tjetër arritje e madhe e aleancës midis Rusisë dhe Venezuelës”, shtoi Maduro.
Ai theksoi rolin që aleanca OPEC plus ka luajtur në stabilizimin e çmimeve të naftës pasi ato ranë në vitin 2020 për shkak të pandemisë globale të koronavirusit.