Mediat verikoreane i thurrin lavde samitit Kim-Trump
Agjencia KCNA ka publikuar një tekst ku i thurrin lavde udhëheqësit verikorean dhe samitit të djeshëm në Singapor

Seul
SEUL (AA) – Agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut (KCNA) sot ka publikuar një tekst për udhëheqësin e vendit, Kim Jong-un dhe arritjet e tij në takimin e djeshëm historik me presidentin amerikan Donald Trump në Singapor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke potencuar se liderët e të dy vendeve pranuan me kënaqësi ftesat për vizita të ndërsjella, KCNA ka thënë se vizita e liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un në Washington apo Presidentit amerikan Trump në Phenian do të jenë ngjarje të papara.
Edhe pse Trump dhe Kim ishin të lumtur për marrëveshjen e arritur në parim për denuklearizimin e Koresë së Veriut me një garanci të sigurisë amerikane, ku nuk u publikua plani i saktë i këtij procesi dhe nëse ajo është në përputhje me pritjet e mëparshme të Washingtonit që armët bërthamore të Koresë së Veriut dhe kapacitetet të shkatërrohen plotësisht në mënyrë të besueshme dhe të pakthyeshme.
Shumë analistë thonë se rezultatet e samitit të djeshëm i shkojnë për shtati planit të paralajmëruar të Kim për ndryshime graduale në terren.
KCNA theksoi nevojën për vazhdimin e ndërtimit të besimit dhe se proceset të zhvillohen gradualisht me hapa të njëkohshme në drejtim të ndërtimit të paqes dhe denuklearizimit të Gadishullit Korean.
Në veçanti, KCNA përshëndeti përfundimin e paralajmëruar të stërvitjeve ushtarake të SHBA-ve dhe Koresë së Jugut në rajon.
Trump pas samitit të djeshëm tha se stërvitjet ushtarake do të ndërpriten për shkak se ishin të shtrenjta dhe provokative.
Kim i quajti këto stërvitje si aksione ushtarake irrituese dhe armiqësore të cilat duhet të ndalohen.
Pak pasi KCNA publikoi tekstin për samitin, Presidenti i SHBA Trump u prononcua në Twitter dhe shkroi një seri mesazhe optimiste.
"Lideri Kim ka një shans të mbahet mend si një udhëheqës i cili popullit të tij i sjellë epokën e re të sigurisë dhe prosperitetit", tha Trump.
Trump tha gjithashtu se e gjithë bota do të përfitojë kur të mos ketë më lançime të raketave dhe testeve bërthamore.