Mbetjet e avionit ushtarak të rrëzuar sillen në Turqi për inspektime
Analiza e kutisë së zezë është duke u vijuar, ndërsa hetuesit vazhdojnë të ekzaminojnë vendin e rrëzimit të aeroplanit në kufirin Azerbajxhan-Gjeorgji
Ankara
Pjesa më e madhe e mbetjeve të avionit ushtarak transportues turk C-130, i cili u rrëzua pranë kufirit Azerbajxhan-Gjeorgji, është transportuar në Turqi, transmeton Anadolu.
Një "ekip hetimi për rrëzimin", i krijuar dhe dërguar menjëherë në vendngjarje pas incidentit, po vazhdon punën. Pas ekzaminimeve të detajuara në zonë, pjesët e avionit u ngarkuan me kujdes në kamionë. Tashmë, shumica e mbeturinave të C-130-shit janë sjellë në Turqi.
Mbeturinat do të analizohen në Drejtorinë e Fabrikës së 2-të të Mirëmbajtjes Ajrore në provincën Kayseri në pjesën qendrore të Turqisë, e cila funksionon nën Drejtorinë e Fabrikave Ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.
Ndërkohë ka nisur analizimi i kutisë së zezë të avionit. Shkaku i incidentit pritet të zbardhet pasi të përfundojnë inspektimet në terren dhe dekodimi i kutisë së zezë. Ekipi i hetimit do të vazhdojë punën në vendngjarje deri në fundjavë.
Avioni i Forcave Ajrore Turke C-130 u rrëzua më 11 nëntor pranë kufirit Azerbajxhan-Gjeorgji, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë 20 pjesëtarëve në bord.
Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yasar Guler u tha gazetarëve pas mbledhjes së kabinetit të kryesuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan të hënën se dekodimi i regjistruesve të fluturimit dhe marrja e rezultateve të para do të zgjasë të paktën dy muaj.
"Sipas gjetjeve paraprake, edhe pse jo përfundimtare, dyshohet se pjesa e bishtit është shkëputur e para. Më pas avioni është ndarë në tri pjesë. Këto do të sqarohen nga kutia e zezë", shpjegoi ministri duke shtuar se kutia e zezë po analizohet aktualisht nga Industria Turke e Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAS).
