Tayfun Salcı
21 Mars 2019•Përditësim: 21 Mars 2019
Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka akuzuar deputetët në lidhje me ngërçin e formuar në vend në lidhje me çështjen e Brexit-it, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Deputetët nuk arritën të bien dakord për gjetjen e një rruge për të vënë në zbatim Brexit-in", tha May gjatë një fjalimi të mbajtur drejtuar popullit nga zyra kryeministrore. Ajo vuri në dukje se kanë kaluar rreth 3 vite nga referendumi me të cilin u vendos që vendi të largohet nga Bashkimi Evropian (BE).
"Jam e sigurt që si popull jeni lodhur. Ju jeni të lodhur duke dëgjuar deputetët që po flasin vetëm për Brexit-in derisa qëndrojnë problemet tuaja reale. Edhe unë jam në të njëjtën anë me ju. Është koha që deputetët tashmë të marrin një vendim", tha May duke iu drejtuar qytetarëve britanikë.
Pasi bëri të ditur se Parlamenti ka zhvilluar votim pas votimi për Brexit-in dhe nuk ka arritur ndonjë rezultat, May tha se "Si rezultat ne nuk po largohemi nga BE me një marrëveshje më 29 mars. Kjo shtyrje është një keqardhje e madhe personale për mua".
May tha se nëpërmjet një letre dërguar presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk ka kërkuar shtyrjen e Brexit-it më 30 qershor dhe se me këtë veprim qëllimi i saj ka qenë që t'u japë shans deputetëve për të marrë një vendim përfundimtar.
"Parlamenti britanik ka pasur mundësi të tilla si largimin nga BE-ja me një marrëveshje, largim pa marrëveshje, shkuarje në një referendum të ri apo anulimin e Brexit-it", tha May e cila theksoi se opsioni i fundit do të çojë në dëmtim të përhershëm të demokracisë së vendit.
"Tashmë është koha për të vendosur. Të gjithë deputetët kanë qenë të gatshëm për të thënë se çfarë nuk është dashur deri tani. Unë shpresoj se deputetët mund të gjejnë një mënyrë për të mbështetur marrëveshjen që unë kam negociuar me BE-në. Kjo është marrëveshja më e mirë për të zbatuar dhe negociuar rezultatin e referendumit", tha May.
Ajo tha se do të vazhdojë të përpiqet të gjejë mbështetjen e nevojshme për marrëveshjen e Brexit-it. May nënvizon se nuk është e gatshme të shtyjë Brexit-in në një datë më vonë se 30 qershor.