Sayed Khodaberdi Sadat
21 Mars 2019•Përditësim: 21 Mars 2019
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, deklaroi se viti 2019 do të jetë një vit i paqes në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Afganistan me një sërë manifestimesh ka filluar kremta e Nevruzit që është festa e pranverës.
Me këtë festë lidhen edhe legjenda të shumta për rilindjen e natyrës dhe lindjes së shpresave të reja për njerëzit, për çka jo rrallë praktikohen rituale të ndryshme dhe lutje për një të ardhme më të mirë për njerëzimin.
Me këtë rast, në Mazar-i Sharif u organizua festivali ndërkombëtar i Nevruzit dhe trëndafilit të kuq.
Në ceremoninë e cila u mbajt në afërsi të Xhamisë së Kaltër morën pjesë zyrtarë afganë në mesin e të cilëve edhe Ghani, si dhe shumë qytetarë dhe mysafirë nga Turkmenistani, Uzbekistani, Turqia, India dhe Pakistani.
"Ky vit do të jetë një vit i paqes për Afganistanin", tha Ghani në fjalën e tij.
Ai kujtoi projektet e rëndësishme të cilat janë realizuar në vitin 2018 ndërkohë që njoftoi për një përparim të rëndësishëm që do të shënohet këtë vit.
Ghani theksoi se populli afgan dëshiron paqe.
"Duam paqe që populli ynë të jetojë i qetë dhe pa gjakderdhje”, tha Ghani.
Pritet që kremta të zgjasë deri në orët e vona të natës.