Şerife Çetin
27 Qershor 2017•Përditësim: 27 Qershor 2017
BRUKSEL (AA) - Kryetari i Komitetit ushtarak të NATO-s gjenerali Petr Pavel tha se marrëdhëniet e forta të NATO-s me Turqinë janë parësore dhe se nuk duhet harruar që në kuptimin e sigurisë së brendshme Turqia lufton më shumë se vendet e tjera kundër kërcënimeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pavel ka folur për revistën Politico ku ka bërë vlerësime për kërcënimin e Rusisë dhe rreth Turqisë.
Duke vënë theksin se zhvillimet në Turqi duhet të trajtohen në kuadër të kushteve ku ndodhet vendi, Pavel ka theksuar se në pikëpamjen e sigurisë nuk duhet të injorohet fakti se Turqia në krahasim me vendet e tjera është më e kërcënuar.
Pasi ka bërë të ditur se zhvillimi i marrëdhënieve të mira me Turqinë është i rëndësishëm për NATO-n, Pavel ka thënë më tej se: "Marrëdhëniet e forta të NATO-s me Turqinë janë parësore. Turqia është e ekspozuar me sprovat me të cilat përballet NATO. Turqia ndikohet seriozisht dhe drejtpërdrejt nga kërcënimi i Rusisë, në anën tjetër terrorizmi dhe nga kërcënimet që burojnë nga aktorët e tjerë jashtë shtetit si ekstremizmi dhe migrimi. Ne Turqinë e shohim si një aleat të rëndësishëm të NATO-s që duhet të mbështetet".
"Kërcënimi i Rusisë në rritje"
Gjenerali Pavel ka njoftuar se Rusia sa vjen e rrit praninë e saj ushtarake duke përcaktuar se NATO ndjek çdo hap ushtarak të Rusisë për të mos lejuar përsëritjen e një situate si ankesimi i Krimesë. "Nuk jemi në dijeni të plotë se me çfarë qëllimi Rusia rrit forcën ushtarake", tha ai.
"Janë disa elementë që na shqetësojnë dhe duhet të jemi të përgatitur", ka deklaruar Pavel duke shprehur se ka raporte që Rusia ka vendosur raketa balistike ndërkontinentale me kapacitet bërthamor në rajonet e Kaliningradit dhe Krimesë.
Ndër të tjera Pavel ka vënë në dukje se Rusia ka modernizuar ushtrinë e saj në mënyrë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Ai ka theksuar se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme në kuptimin e përgatitjes dhe aftësive në mënyrë që asnjë aleat i NATO-s të mos mbetet i detyruar të luftojë me një kërcënim të ngjashëm me atë që është përballur Ukraina.
Më tej pasi ka shprehur se NATO ka kryer punime të rëndësishme në fushën e luftës kundër terrorizmit Pavel tha se Aleanca nuk e ka luksin të përqendrohet vetëm në kërcënimet që kanë burimin nga aktorët shtetërorë.