Bota

Malajzi, besimtarët hindu kremtojnë festën Thaipusam

Në kuadër të aktiviteteve hindusët marshuan rreth 3 kilometra deri tek Shpella Batu, ndërsa për të arritur në shpellë u ngjitën nga shkallët me 272 këmbëza

Ömer Faruk Yıldız  | 21.01.2019 - Përdıtësım : 22.01.2019
Malajzi, besimtarët hindu kremtojnë festën Thaipusam ( Adli Ghazali - Anadolu Agency )

Kuala Lumpur

KUALA LUMPUR (AA) - Rreth 16 milion hindu në Malajzi u mblodhën për të kremtuar festën Thaipusam, raporton Anadolu Agency (AA).

Hindusët malajzian nga vendet e ndryshme të Malajzisë dhe botës u mblodhën në Shpellën Batu në kryeqytetin Kuala Lumpur, e cila njihet si tempulli më i madh hindu në botë, për të kremtuar festën Thaipusam.

Për Thaipusam, e cila kremtohet në muajt janar-shkurt sipas kalendarit tamil "Thai" dhe është në mesin e ditëve më të rëndësishme sipas besimit hindu, u zhvilluan rituale në nder të fitores së "perëndisë së luftës" Murugan ndaj ushtrisë së djallit.

Në kuadër të aktiviteteve hindusët marshuan rreth 3 kilometra deri tek Shpella Batu, ndërsa për të arritur në shpellë u ngjitën nga shkallët me 272 këmbëza.

Disa hindusë për të treguar qëndrueshmërinë e tyre shpuan me hell trupin e tyre, ndërsa ata që dëshironin begati mbanin qumësht të vendosur në një kub mbi kokët e tyre.

Hindusët besojnë se do të afrohen aq më shumë tek Zoti aq sa durojnë dhimbjen, si dhe vallëzuan duke mbajtur ngarkesat me simbolet e hinduizmit të quajtura "Kavadi", peshat e të cilëve arrijnë deri në 30 kilogramë.

C. Sethu Pathy, drejtor i Tempullit Sri Maha Mariamman në Shpellën Batu, për AA tha se Thaipusam festohet në Malajzi që nga viti 1891.

Ai tregoi se gjatë kremtimeve rreth 3 mijë persona të përbërë prej punonjësve të shëndetësisë dhe policisë shërbejnë për hindusët që vizitojnë shpellën.

"Të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se këtu kanë ardhur 1.5 milion vizitorë. Këtë vit deri më tani kanë ardhur 1 milion persona. Gjatë ditës presim edhe 600 mijë persona të arrijnë", u shpreh drejtori i tempullit.

Shpella Batu është në mesin e vendeve të shenjta të botës hindu për shkak se në oborrin e saj e ka shtatoren e Murugan-it të gjatë 42 metra.

Ndërkohë hindusët përbëjnë 6,3 për qind të popullatës në Malajzi, ndërsa festa Thaipusam kremtohet si zyrtare.

Kremtimet më të mëdha zhvillohen në Indi, ndërsa përveç Malajzisë kremtimet zhvillohen edhe në Indonezi, Singapor, SHBA, si dhe shteti afrikan Republika Muritius.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın