Fatih Hafız Mehmet
27 Gusht 2019•Përditësim: 28 Gusht 2019
Presidenti francez të hënën deklaroi se dëshiron një takim mes liderëve të SHBA-së dhe Iranit në javët në vijim, duke shtuar se janë krijuar kushtet për një takim të tillë, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij amerikan, Donald Trump, në ditën e fundit të samitit të G7, Emmanuel Macron, tha se dakordohet me Trump që Irani duhet të përmbushë detyrimet e tij nga marrëveshja bërthamore.
"Unë dua që të zhvillohet një takim midis Trumpit dhe Rouhanit në javët në vijim", tha Macron.
Ai shtoi se janë krijuar kushte për një takim dhe një marrëveshje midis dy vendeve. "Irani kurrë nuk duhet të bëhet me armë bërthamore dhe të kërcënojë stabilitetin e rajonit", tha Macron.
Macron tha se takimi i tij me ministrin e Jashtëm të Iranit, Javad Zarif, të dielën në Biarritz të Francës nuk dha rezultate, megjithatë, ai kontribuoi në dialog.
Marrëveshja bërthamore e Iranit, e njohur edhe si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA), u nënshkrua në vitin 2015 midis Iranit dhe Rusisë, Kinës, Francës, Britanisë dhe SHBA-ve plus Gjermanisë.
Vitin e kaluar, Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja, duke shtuar presionin ndaj Teheranit për të rivendosur sanksionet që shënjestronin sektorin e energjisë dhe bankave të vendit.
Sipas marrëveshjes, fuqitë kryesore të botës premtuan heqjen e sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj Iranit në këmbim që Teherani të kufizojë aktivitetin e tij bërthamor në qëllime paqësore dhe civile.
Në qershor, Irani kritikoi ashpër fuqitë botërore për mos përmbushjen e premtimeve të tyre dhe kërcënoi të braktisë pjesë të marrëveshjes.