Ekip
18 Dhjetor 2019•Përditësim: 19 Dhjetor 2019
Në jug të kryeqytetit Tripoli është dëgjuar zëri i artilerisë së rëndë në kohën kur po vijon sulmi i forcave nga Libia lindore ndaj kryeqytetit, raporton Anadolu Agency (AA).
Burimet lokale thonë se predhat goditën lagjen Salahuddin në jug të Tripolit, duke shkaktuar dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për të plagosur.
Sipas Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) me seli në Tripoli, sulmet artilerike ndodhën menjëherë pasi forcat e armatosura të komandantit Khalifa Haftar lëshuan disa raketa në zonat e banuara në Tripoli.
Në ndërkohë, forcat e qeverisë thanë se kanë shkatërruar një automjet të forcave të Haftarit të mbushur me municion në distriktin Yarmouk, në jug të Tripolit.
Në muajin prill, forcat e komandantit Haftar filluan një fushatë ushtarake për të pushtuar Tripolin, por deri më tani nuk kanë arritur të përparojnë përtej pjesëve periferike të qytetit.
Megjithatë, më 12 dhjetor komandanti Haftar njoftoi se ka urdhëruar militantët e tij që të nisin një "betejë vendimtare" për të marrë nën kontroll kryeqytetin.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), mbi 1 mijë persona janë vrarë që nga fillimi i operacionit dhe më shumë se 5 mijë janë plagosur.
Që nga rrëzimi i ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me të cilën është i lidhur edhe gjenerali Haftar, ndërsa një tjetër në Tripoli, e cila gëzon njohjen ndërkombëtare të OKB-së.