Barış Gündoğan
18 Dhjetor 2019•Përditësim: 18 Dhjetor 2019
Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, në lidhje me çështjen për zonën e sigurtë të planifikuar në veri të Sirisë tha se "vendet e pasura perëndimore kanë mbetur në klasë në krizën e refugjatëve" dhe se në të njëjtën situatë janë edhe disa vende të pasura arabe, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan, i cili qëndron në Gjenevë në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e parë Global të Refugjatëve, ka folur për çështjet në rendin e ditës dhe u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Ai bëri të ditur se në kuadër të forumit të refugjatëve kanë zhvilluar bisedime dypalëshe, por edhe kanë shprehur mendimet e tyre në prani të Kombeve të Bashkuara (OKB) për çështjen e krizës së refugjatëve.
Erdoğan theksoi se vendi i tij zbaton politikën e saj me "dyer të hapura" ndaj refugjatëve si një përgjegjësi humane dhe morale.
"Mendojmë se edhe bota duhet të ndërmarrë këtë përgjegjësi. Vendet e pasura perëndimore kanë mbetur në klasë në krizën e refugjatëve. Në të njëjtën situatë janë edhe disa vende të pasura arabe. Problemet globale mund të tejkalohen vetëm me bashkëpunim global dhe solidaritet. Ikja e botës nga problemi i refugjatëve nuk e eliminon atë", deklaroi Erdoğan.
Duke iu referuar zonës së sigurt të planifikuar në veri të Sirisë, Erdoğan tha se janë duke u bërë përpjekje intensive që proceset e Astanas dhe Gjenevës të jenë efektive. Ai shtoi veprojnë duke u fokusuar në rezultat.
"Duke ruajtur sovranitetin territorial të Sirisë, ne synojmë t'i japim fund terrorizmit dhe objektivi ynë parësor është rikthimi vullnetar, i sigurtë dhe dinjitoz i refugjatëve në shtëpitë e tyre", tha Erdoğan.
Për mbështetjen e vendeve të respektuara ekonomikisht të botës për këtë çështje, Erdoğan deklaroi se, “As nga vendet më të respektuara ekonomikisht të botës nuk ka zë se ‘jemi edhe ne‘. Ne akoma jemi në pritje të këtij zëri".
- Zhvillimet në Libi
Lidhur me situatën në Libi, Erdoğan kujtoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Ai shpjegoi se me presidentin Putin kanë kryer përcaktime në detyra dhe se në një kohë të afërt një delegacion turk do të zhvillojë vizitë në Moskë. Delegacioni turk do të jetë i përbërë nga zv/ministri i Punëve të Jashtme, zv/ministri i Mbrojtjes, zyrtarë të inteligjencës dhe punonjës të sigurisë kombëtare turke.
Erdoğan po ashtu theksoi se për çështjen e Libisë së fundmi ka biseduar edhe me Fayez al-Sarraj, kreun e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë, e cila gëzon njohjen e OKB-së.
"Biseduam se çfarë hapash të reja mund të ndërmarrim. Do të përshpejtojmë procesin mes Turqisë dhe Libisë. Atyre u kemi shprehur se në çdo kohë jemi të gatshëm për ndihmë, nëse kanë nevojë. Ne jemi të gatshëm për hapat që do të merren, që nga bashkëpunimi ushtarak dhe i sigurisë e deri në pikën e të drejtave tona në dete", tha Erdoğan.