Nazmi Abduramani
23 maj 2016•Përditësim: 24 maj 2016
SHKUP (AA) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, gjatë Samitit Humanitar Botëror në Stamboll, realizoi një takim me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takim të dy bashkëfolësit shprehën kënaqësinë për nivelin e lartë të marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale mes Maqedonisë dhe Turqisë dhe gatishmërisë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha sferat e interesit të ndërsjellë.
Në bisedime, presidentët shkëmbyen mendime dhe informacione për gjendjen me krizën e migrantëve, për gjendjet aktuale politike në të dy vendet, si dhe për çështjet lidhur me sigurinë energjetike dhe projektet e gazsjellësit, thuhet në njoftimin nga kabineti presidencial i Ivanovit.
Nga ana tjetër Erdoğan e informoi homologun e Maqedonisë për gjendjen dhe sfidat me të cilat përballet Turqia lidhur me krizën e migrantëve dhe të refugjatëve, si dhe me luftën kundër terrorizmit. Në këtë kontekst e informoi edhe për zbatimin dhe perspektivat e Marrëveshjes BE-Turqi për përballjen me krizën e migrantëve.
Presidenti i Maqedonisë e informoi homologun e tij për masat dhe aktivitetet që i zbaton dhe i ndërmerr Republika e Maqedonisë për përballjen me këtë krizë.
Ivanov, siç thuhet në njoftimin, e njohu Presidentin Erdoğan me gjendjen dhe kërcënimet në kufirin jugor, të cilat janë shkaktuar nga shkalla e rritur e migrimit ilegal dhe tentimet e mëparshme të dhunshme për hyrje ilegale në territorin e Maqedonisë.
Më tej thuhet se Ivanov shprehu pritjen se Republika e Maqedonisë në vigjilje të Samitit të radhës të NATO-s në Varshavë do të vazhdojë me mbështetjen e fuqishme dhe të hapur për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në Aleancë.
Të dy presidentët u dakorduan se është i domosdoshëm bashkëpunimi i përforcuar mes shteteve në rajon në drejtim të informimit të vazhdueshëm dhe parandalimin e kërcënimeve dhe rreziqeve nga terrorizmi, ekstremizmi dhe migrimi ilegal.