Bota

Liban, rritet numri i viktimave nga protestat në Bejrut

Sipas Kryqit të Kuq të Libanit, numri i viktimave aktualisht është gjashtë dhe më shumë se 30 persona janë plagosur

Ekip  | 14.10.2021 - Përdıtësım : 15.10.2021
Liban, rritet numri i viktimave nga protestat në Bejrut

Bejrut

Në orët e mbrëmjes në Bejrut mbizotëron një atmosferë e qetë, pas gati katër orësh dhunë në kryeqytetin libanez ku humbën jetën të paktën gjashtë persona dhe më shumë se 30 të tjerë u plagosën, raporton Anadolu Agency (AA).

Paniku dhe frika përfshiu qytetin pasi u dëgjuan të shtëna me armë zjarri në një protestë të mbështetësve të Hezbollahut dhe Lëvizjes Amal pranë Pallatit të Drejtësisë.

Qindra mbështetës të dy grupeve shiite ishin mbledhur për të kërkuar largimin e Tarek Bitar, gjyqtarit që drejtonte hetimin për shpërthimin vdekjeprurës të portit të Bejrutit vitin e kaluar.

Protesta filloi disa orë pasi gjykata hodhi poshtë një ankesë kundër gjyqtarit dhe e lejoi atë të vazhdonte hetimin.

Grupet akuzojnë gjyqtarin për anshmëri, ndërsa udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, së fundmi duke thënë se puna e Bitarit "përfshin shënjestrimin politik dhe nuk ka të bëjë me drejtësinë".

Sipas Kryqit të Kuq të Libanit, numri i viktimave aktualisht është gjashtë dhe më shumë se 30 persona janë plagosur.

Informata nga kjo organizatë erdhi pasi ministri i Brendshëm i Libanit, Bassam Mawlawi, u tha përfaqësuesve të mediave se pesë persona u vranë dhe të paktën 16 u plagosën.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve, në mesin e personave të vrarë ishte edhe një grua që u qëllua nga një plumb në shtëpinë e saj.

Ushtria libaneze tha në një deklaratë se protestuesit u sulmuan teksa po shkonin drejt Pallatit të Drejtësisë.

Ushtria u kërkoi njerëzve të lirojnë zonën dhe paralajmëroi se çdo person me armë do të qëllohet.

Shpërthimi i portit të Bejrutit që ndodhi në gusht të vitit 2020 shkaktoi vdekjen e më shumë se 200 personave, si dhe la të plagosur rreth 6.000 të tjerë. Gjithashtu, shpërthimi la rreth 300.000 të pastrehë, ndërsa shkaktoi dëme masive dhe dobësoi më tej ekonominë tashmë të brishtë të Libanit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.