Hakan Ceyhan Aydoğan
13 Shkurt 2017•Përditësim: 14 Shkurt 2017
MOSKË (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov ka thënë se kyçja e grupeve të armatosura opozitare të Sirisë dhe faktorizimi i tyre në procesin politik është shumë i rëndësishëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën e përbashkët për media pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Mongolisë Tsend Munkh-Orgil, Lavrov tha se në takimet për Sirinë që planifikohen të mbahen më 15-16 shkurt në Astana, do të marrin pjesë Turqia, Rusia, Irani, si dhe regjimi dhe grupet opozitare, ashtu siç ishte rasti edhe në takimin e parë.
Lavrov bëri të ditur se në Astana, janë ftuar edhe Përfaqësuesi Special i OKB-së për Sirinë Staffan de Mistura si dhe SHBA-të, me status si vëzhgues.
“Kyçja e Grupeve të armatosura opozitare në procesin politik dhe faktorizimi i tyre në këtë dialog është shumë i rëndësishëm", tha Lavrov.
Ai tha se platforma e Astanas do të kontribuojë në vëzhgimin e armëpushimit dhe në zhvillimin e procesit të reformave politike.
Lavrov gjithashtu bëri të ditur se edhe përfshirja e Jordanisë në takimet në Astana do të ishte e dobishme dhe se në këtë periudhë janë duke diskutuar mbi këtë çështje.
Duke potencuar se ka shumë grupe të armatosura që luftojnë kundër terrorizmit në Siri, Lavrov gjithashtu tha se të gjitha grupet në terren duhet t'i koordinojnë aktivitet e tyre, që të mos ndodhin raste të padëshiruara.