Hakan Ceyhan Aydoğan
27 Janar 2017•Përditësim: 27 Janar 2017
MOSKË (AA) - Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, njoftoi se bisedimet për Sirinë të cilat u planifikuan të fillojnë më 8 shkurt në Gjenevë, janë shtyrë në fund të muajit, raporton Anadolu Agency (AA).
Lavrov i cili është takuar me grupin të ashtuquajtur "përfaqësuesit politikë të opozitës siriane" në Moskë, theksoi se është i papranueshëm pasiviteti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), që nuk është duke organizuar bisedime për Sirinë që nga muaji prill i vitit të kaluar.
"Bisedimet në Gjenevë u shtynë nga 8 shkurti në fund të muajit. Në Gjenevë mendojmë se duhet fokusim në çështje të qarta, siç janë punimet për kushtetutën", tha Lavrov.
Propozimi i Rusisë për kushtetutën e vendit
Ai duke u shprehur se bisedimet në Astana janë një hap i ri dhe i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës në Siri, theksoi se është konfirmuar armëpushimi i njoftuar në Astana nën garancinë e Turqisë dhe Rusisë.
Lavrov i cili komentoi edhe propozimin e Rusisë që iu ofroi palëve në Astana, tregoi se është duke u punuar për draftin që të gjenden pikat e përbashkëta në pozicionet e regjimit dhe opozitës.
Kryediplomati rus tha se Rusia nuk është duke i imponuar askujt draftin e saj për kushtetutën, duke theksuar se kjo çështje është projektuar që të hapet për diskutim në Gjenevë dhe se propozimi është transmetuar deri tek palët.
Nga ana tjetër, pretendohet se disa grupe të cilat kanë marrë pjesë në takim, do ti propozojnë Lavrovit kushtetutën e Sirisë të cilën e kanë përgatitur.