Kurti: Kosova dhe Serbia duhet t'i normalizojnë marrëdhëniet
"Normalizimi i marrëdhënieve me një regjim autoritar fqinj që nuk të njeh dhe që gjithashtu nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës, është mjaft i vështirë", tha Kurti
Prishtinë
Kryeministri në detyrë i Kosovës njëherësh kandidat edhe për një mandat në këtë pozitë nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë e cila ka një regjim autoritar është mjaft i vështirë, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për mediumin AFP pak ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, Kurti tha se Kosova dhe Serbia duhet t'i normalizojnë marrëdhëniet.
"Ne duhet t'i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë. Por, normalizimi i marrëdhënieve me një regjim autoritar fqinj që nuk të njeh dhe që gjithashtu nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës, është mjaft i vështirë", tha ai.
Kryeministri në detyrë i Kosovës tha se dy vendet fqinje kanë një marrëveshje për normalizim, duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por ajo nuk po gjen zbatim.
"Duhet ta zbatojmë atë, gjë që nënkupton njohje reciproke mes shteteve, të paktën njohje 'de facto'", tha Kurti.
Sipas tij, për të rifilluar procesin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, Serbia duhet ta dorëzojë tek autoritetet e Kosovës, Milan Radoiçiqin, i cili akuzohet për planifikimin e sulmit në Banjska më 24 shtator 2023 dhe për këtë ai shprehu shpresën që "BE-ja, Franca dhe Gjermania do të ushtrojnë presion" mbi Beogradin që ta bëjë këtë.
Kurti tha se mbi marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë rëndon gjithashtu edhe "hija e Rusisë", për shkak se Serbia nuk i ka shkëputur kurrë lidhjet me Moskën, ndër tjerash edhe sepse ajo varet nga Rusia për nevojat energjetike.
Albin Kurti, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, partisë e cila në zgjedhjet e fundit ka fituar më së shumti vota, duke folur për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 ka thënë se partisë së tij i duhet një fitore vendimtare, e cila e tejkalon 50 për qind të votave të përgjithshme.
