Bota

Kurti dhe Vuçiç në darkë joformale në Berlin, nën organizimin e emisarit Lajçak

“Mirëpresim mundësinë për diskutime rreth dialogut, në një darkë joformale, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, në Berlin”, shkroi Lajçak

Agim Sulaj  | 05.05.2022 - Përdıtësım : 06.05.2022
Kurti dhe Vuçiç në darkë joformale në Berlin, nën organizimin e emisarit Lajçak Foto: Miroslav Lajçak / Tweeter

Prishtinë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka pritur në një darkë joformale kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Berlin të Gjermanisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Takimi i Lajçakut me dy liderët e Ballkanit Perëndimor erdhi pasi ata fillimisht u takuan ndaras me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“Mirëpresim mundësinë për diskutime rreth dialogut, në një darkë joformale, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, në Berlin. Faleminderit Qeverisë gjermane për pritjen. Ne do të vazhdojmë diskutimin në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj”, shkroi Lajçak në rrjete sociale duke bërë publike edhe një fotografi nga darka.

Pas Lajçakut, kryeministri Kurti në reagimin e tij ka shkruar se agresioni i fundit rus në Ukrainë ka shtuar mosmarrëveshjet midis palëve, por Kosova mbetet e përkushtuar për procesin e dialogut.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj dialogut parimor me Serbinë, për një marrëveshje që ka në qendër njohjen e ndërsjellë. Raundi i sotëm u zhvillua në Pallatin Borsig në Berlin, gjatë një darke pune”, shkroi Kurti.

Më vonë pas këtij takimi, në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, kryeministri Kurti tha se qëndrimet e “presidentit të fqinjit tonë verior” janë të vjetra, megjithëse insistimet e tij janë për një marrëveshje të obligueshme që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve duke pasur në qendër njohjen reciproke.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takuan në kuadër të dialogut më 19 korrik të vitit 2021. Që nga ajo kohë, bisedimet ndërmjet dy shteteve janë zhvilluar në nivel ekipesh negociatore.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın