Nilay Kar
26 shkurt 2019•Përditësim: 27 shkurt 2019
Rreth 87 për qind e kubanezëve kanë votuar për kushtetutën e re, në të cilën sistemi njëpartiak socialist mbetet në fuqi, ndërkohë që janë bërë disa ndryshime ekonomike dhe shoqërore, raporton Anadolu Agency (AA).
Referendumi historik u mbajt të dielën, megjithatë rezultatet paraprake nuk u publikuan deri të hënën në mbrëmje.
Në bazë të rezultateve të publikuara nga Komisioni Kombëtar i Zgjedhjeve në Kubë, numri i votuesve të dalë në referendum ka qenë 84.4 për qind.
Kryetarja e Komisionit, Alina Balseiro Gutierrez, në një konferencë për mediat tha se 86.85 për qind e votuesve i kanë dhënë mbështetje kushtetutës së re, nëntë për qind kanë votuar kundër dhe 4.5 për qind lanë fletët e zbrazëta.
Ndryshimet kushtetues kanë lënë në fuqi sistemin njëpartiak, ku si rrjedhojë, Partia Komuniste do të mbetet e vetmja parti politike në pushtet, megjithatë, Kushtetuta do të bëjë ndryshimin e qeverisë, sepse krijon postin e kryeministrit, guvernatorit krahinor, dhe bën kufizime në mandatin e presidentit.
Njohja e kompanive private të biznesit, investimet e huaja, interneti dhe identiteti gjinor, janë ndër ndryshimet e kushtetutës të cilat Kuba nuk i ka njohur më parë.