Furkan Güldemir
15 Nëntor 2017•Përditësim: 15 Nëntor 2017
BEJRUT (AA) - Kryeministri i dorëhequr libanez, Saad Hariri, ka riafirmuar deklaratën e tij se do të kthehet në Liban, raporton Anadolu Agency (AA).
"Siç thashë edhe më herët, jam shumë mirë. Ashtu siç dhashë fjalën, me lejen e Zotit do të kthehem në Liban. Do ta shihni", është shprehur Hariri në median sociale.
Deklarata e Haririt vjen pasi më herët presidenti i Libanit Michel Aoun pohoi se Hariri është duke u mbajtur në arrest.
"Pasi kanë kaluar 12 ditë nga dorëheqja e Haririt, nuk ka asnjë arsye që ai të mos kthehet nga Arabia Saudite", u tha në një deklaratë me shkrim nga zyra e presidentit libanez.
"Për këtë arsye, ne mendojmë se ai është ndaluar me forcë dhe po mbahet në arrest. Ne e konsiderojmë si qëndrim armiqësor ndaj Libanit ndalimin e Haririt", thuhej më tej në deklaratë.
Edhe në deklaratën që bëri dje përmes llogarisë së tij në median sociale, Hariri njoftoi se është në gjendje të mirë dhe se do të kthehet në Liban brenda dy ditëve.
Ndryshe, kryeministri libanez, Saad Hariri, më 4 nëntor shpalli dorëheqjen e tij teksa ndodhej në kryeqytetin saudit, Rijad.
Dorëheqja e Haririt, e cila ende nuk është miratuar nga presidenti Michel Aoun, erdhi mes tensioneve midis Arabisë Saudite dhe Iranit. Aoun më herët ka thënë se nuk do të pranojë dorëheqjen e Haririt derisa të kthehet në Liban për të shpjeguar qëndrimin e tij.
Në adresimin e tij të dorëheqjes, Hariri kritikoi Iranin dhe Hezbollahun, duke i akuzuar ata për nxitje të "kryengritjes" në rajon dhe për ndërhyrje në çështjet arabe, madje duke shtuar se është i shqetësuar se ndaj tij mund të bëhet atentat.
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Hasan Nasrallah, ka thënë se nuk ka "arsye" për Haririn të japë dorëheqje, duke e akuzuar Arabinë Saudite se e mban atë kundër vullnetit të tij dhe e ka detyruar atë të japë dorëheqje.
Nga ana tjetër, Arabia Saudite ka hedhur poshtë pretendimet se Rijadi e ka detyruar Haririn të japë dorëheqje, duke thënë se këto janë "gënjeshtra" të shpërndara nga Hezbollahu dhe aleatët e tij.
Hariri u emërua kryeministër libanez në fund të vitit të kaluar. Para dorëheqjes së të shtunës, ai kishte udhëhequr një kabinet qeveritar prej 30 anëtarësh që përfshinte edhe dy ministra të Hezbollahut.