Şerife Çetin
15 Nëntor 2017•Përditësim: 15 Nëntor 2017
BRUKSEL (AA) - Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini do të zhvillojë një vizitë në Mianmar për të marrë pjesë në Takimin e 13-të të Ministrave të Jashtëm të Azisë dhe Evropës, e cila gjithashtu do të diskutojë mbi situatën në rajonin e Arakanit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra e Mogherinit bëhet e ditur se ajo do të zhvillojë vizitë pune në Bangladesh dhe në këtë kuadër ajo do të vizitojë kampet në qytetin Cox's Bazar ku qëndrojnë muslimanët e Arakanit.
Në Bangladesh Mogherini krahas kryeministres të Bangaldeshit, Sheik Hasina do të takohet edhe me përfaqësues të institucioneve humanitare ku do të vë në dukje mbështetjen e BE-së ndaj krizës me të cilën po përballet Bangladeshi.
Ndër të tjera në deklaratë thuhet se Mogherini do të kryesojë Delegacionin Evropian në Takimin e 13-të të Ministrave të Jashtëm të Azisë dhe Evropës i cili do të mbahet më 20-21 nëntor në Mianmar, ku dhe tema e këtij viti do të jetë "Forcimi i Partneritetit për Paqe dhe Zhvillim të Qëndrueshëm".
"Takimi i 13-të i Ministrave të Jashtëm të Azisë dhe Evropës do të jetë në cilësinë e përgatitjes për Samitin e 12-të ASEM i cili do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Bruksel", thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se në axhendën e takimit do të jenë temat si siguria, ekonomia, lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
Gjithashtu në deklaratë bëhet e ditur se në kuadër të vizitës Mogherini do të zhvillojë takime dypalëshe dhe se "vizita do të jetë mundësi për të diskutuar edhe për situatën në rajonin e Arakanit".