Emre Aytekin
16 mars 2022•Përditësim: 16 mars 2022
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka deklaruar se vendi i tij nuk ishte palë në krizën e Ukrainës dhe nuk dëshiron të preket nga sanksionet kundër Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryediplomati i Kinës foli dje në telefon me homologun e tij spanjoll, Jose Manuel Albares Bueno, ndërkaq sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës, dy diplomatët diskutuan situatën aktuale në Ukrainë.
Në njoftimin e ministrisë thuhet se Bueno theksoi se situata në Ukrainë kërcënon paqen dhe stabilitetin në Evropë dhe se Madridi shpreson që lufta në Ukrainë të përfundojë me diplomaci sa më parë. Ai i bëri thirrje Kinës që të luajë një rol pozitiv në procesin e paqes.
Wang tha se Kina, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), që në fillim ishte për bisedime paqësore dhe shpresonte që Rusia dhe Ukraina do të arrinin një zgjidhje të pranueshme nga të gjitha palët në raundin e katërt të bisedimeve.
Duke theksuar se kriza ukrainase është rezultat i shqetësimeve të kahershme të sigurisë së Evropës, Wang tha se Kina shpreson që Rusia dhe Ukraina të shpallin një armëpushim dhe t'i japin fund luftës, por gjithashtu shpreson që Evropa dhe Rusia të gjejnë zgjidhje të arsyeshme për problemet e sigurisë dhe të krijojnë një arkitekturë të sigurisë evropiane të balancuar, efikase dhe të qëndrueshme.
“Kina kurrë nuk ka mbështetur zgjidhjet përmes sanksioneve dhe gjithmonë ka kundërshtuar sanksionet e njëanshme që shkelin ligjin ndërkombëtar. Kina nuk është palë në krizën e Ukrainës dhe nuk dëshiron të preket nga sanksionet. Kina ka të drejtë të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj", deklaroi Wang.