Ahmet Furkan Mercan
16 mars 2022•Përditësim: 16 mars 2022
Koreja e Jugut ka njoftuar se Koreja e Veriut ka kryer test të "pasuksesshëm" të raketës balistike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shtabi i përgjithshëm i Koresë së Jugut tha se "Koreja e Veriut ka kryer nga rajoni Sunan një test të 'pasuksesshëm' të raketës balistike".
Në një deklaratë lidhur me testimin, një zyrtar ushtarak koreano-jugor tha se raketa "parashikohet se nuk ka arritur objektivin e lartësisë në fazën e parë".
Kryeministri i Japonisë, Kishida Fumio, udhëzoi institucionet përkatëse të marrin informacione të detajuara lidhur me testimin në fjalë.
Shefi i kabinetit të Japonisë, Matsuno Hirokazu, duke bërë të ditur se po bëjnë përpjekje që të "konfirmohet dështimi i testimit", tha se "SHBA-ja dhe Koreja e Jugut po zhvillojnë procesin e analizës dhe ndjekjes".
Komanda Indo-Paqësore e SHBA-së (USPACOM) ka dënuar testimin dhe i ka bërë thirrje Koresë së Veriut që të "distancohet nga aktivitetet destabilizuese".
Koreja e Veriut testimet e fundit raketore i zhvilloi më 27 shkurt dhe më 5 mars.