Bota

Kryediplomati gjerman: Dialogu me Rusinë mbetet i domosdoshëm

“Ne nuk do të gjejmë zgjidhje për çështje urgjente ndërkombëtare pa Moskën. Për më shumë, ne mund të arrijmë paqen e përhershme në Evropë nëse punojmë së bashku”, tha Maas

Ayhan Şimşek  | 18.07.2019 - Përdıtësım : 19.07.2019
Kryediplomati gjerman: Dialogu me Rusinë mbetet i domosdoshëm

Berlin

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, ka deklaruar se dialogu me Rusinë mbetet i domosdoshëm pavarësisht pikëpamjeve krejtësisht të ndryshme midis Berlinit dhe Moskës në shumë çështje ndërkombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne nuk do të gjejmë zgjidhje për çështje urgjente ndërkombëtare pa Moskën. Për më shumë, ne mund të arrijmë paqen e përhershme në Evropë nëse punojmë së bashku”, tha Maas në një deklaratë me shkrim përpara një takimi me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, që është planifikuar të mbahet në qytetin gjerman Koenigswinter.

Maas bëri të ditur se në takim me homologun e tij rus do të diskutojnë për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin, të ardhmen e kontrollit të armëve dhe situatën në Ukrainën lindore.

“Së fundmi, ne kemi parë një dritë shprese në Donbass. Rusia tani duhet të japë një kontribut konstruktiv për të siguruar që këto shenja pozitive të çojnë drejt paqes”, theksoi Maas.

Siç është planifikuar, kryediplomatët e dy vendeve do të marrin pjesë në Forumin e Dialogut në Petersburger dhe do të mbajnë takime për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet ndërkombëtare, përfshirë situatën në Siri, konfliktin në Ukrainën lindore dhe të ardhmen e kontrollit të armëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.