Bota

Kremlini: Putin pranon ftesën e presidentit Erdoğan për vizitë në Turqi

"Presidenti Putin me mirënjohje e pranoi këtë ftesë. Dhe ata ranë dakord që sa më shpejt që situata epidemike dhe oraret ta lejojnë këtë. Ai patjetër do të përfitojë nga kjo ftesë", tha Peskov

Elena Teslova  | 27.01.2022 - Përdıtësım : 28.01.2022
Kremlini: Putin pranon ftesën e presidentit Erdoğan për vizitë në Turqi

Moskë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka bërë të ditur se presidenti rus, Vladimir Putin, ka pranuar ftesën e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, për një vizitë në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të rregullt për media në Moskë, Peskov tha se takimi do të mbahet kur situata pandemike dhe oraret e dy presidentëve ta lejojnë këtë.

"Presidenti Putin me mirënjohje e pranoi këtë ftesë. Dhe ata ranë dakord që sa më shpejt që situata epidemike dhe oraret ta lejojnë këtë. Ai patjetër do të përfitojë nga kjo ftesë", tha Peskov.

Ai theksoi se për shkak të pandemisë COVID-19 ka pasur një "pauzë të pashmangshme" në mbajtjen e takimeve të komisionit ndërqeveritar dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, i cili drejtohet nga dy presidentët.

Zëdhënësi i Kremlinit po ashtu njoftoi se tema u diskutua disa herë në kontaktet e fundit presidenciale dhe se presidenti Erdoğan ka thënë se është i gatshëm të organizojë të gjitha këto ngjarje në Turqi.

Erdoğan dhe Putin flasin periodikisht përmes telefonit dhe kanë pasur një sërë vizitash reciproke viteve të fundit.

Mbrëmë gjatë një interviste televizive, presidenti Erdoğan tha se është i gatshëm të presë liderët e Rusisë dhe Ukrainës për t'i "hapur rrugën rivendosjes së paqes" pasi tensionet midis dy vendeve nuk tregojnë shenja të zbutjes. Ai gjithashtu njoftoi se kishte ftuar presidentin rus në Turqi, por data nuk është caktuar ende.

Ndërkohë, presidenti Erdoğan përsëriti qëndrimin e "qartë" të Turqisë ndaj integritetit territorial të Ukrainës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.