Dmitri Chirciu
19 Korrik 2022•Përditësim: 20 Korrik 2022
Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, tha se presin që negociatat rreth nxjerrjes së drithit nga Ukraina të rifillojnë së shpejti, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për kanalin televiziv rus "Pervyy kanal", Peskov dha deklaratë lidhur me nxjerrjen e drithit nga Ukraina.
Ai rikujtoi se javën e kaluar është mbajtur një mbledhje mes delegacioneve ushtarake të Türkiye-s, Rusisë, Ukrainës si dhe delegacionit të Kombeve të Bashkuara për sigurimin e nxjerrjes së drithit nga portet ukrainase.
"Presim që këto negociata të vazhdojnë së shpejti", u shpreh ai.
Peskov theksoi se Rusia është e gatshme që të kontribuojë në zgjidhjen e krizës së ushqimit që është krijuar në botë. "Shkaku i kësaj krize, nuk është situata në Ukrainë dhe drithi ukrainas. Kjo është vetëm një pjesë e vogël. Rusia, megjithatë, është e gatshme të bëjë çdo përpjekje për të siguruar që gruri ukrainas të arrijë në tregjet botërore", tha Peskov.