Bota

Korporata ruse "Rosatom" evakuon 163 punonjës nga centrali bërthamor në Iran

"Po planifikojmë edhe dy faza të tjera në fillim të prillit. Disa do të mbeten në objekt për të ruajtur vendin dhe për të rifilluar operacionet", tha Likhachev

Burç Eruygur  | 26.03.2026 - Përdıtësım : 26.03.2026
Korporata ruse "Rosatom" evakuon 163 punonjës nga centrali bërthamor në Iran

Stamboll

Kreu i korporatës shtetërore ruse të energjisë bërthamore "Rosatom", Alexey Likhachev ka bërë të ditur se 163 punonjës rusë janë evakuuar nga centrali bërthamor Bushehr në Iran, transmeton Anadolu.

Likhachev për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS tha se gjithçka po zhvillohet “sipas planit” në lidhje me evakuimet. Ai tha se grupi i punonjësve u nis dje në mëngjes, kaloi natën në qytetin Isfahan dhe pritet të kalojë kufirin Iran-Armeni në mbrëmje.

“Po planifikojmë edhe dy faza të tjera në fillim të prillit. Megjithatë, kjo nuk do të përfshijë të gjithë punonjësit. Disa do të mbeten në objekt për të ruajtur vendin dhe për të rifilluar operacionet”, tha ai.

Më vonë, Likhachev tha për TASS se pak më shumë se 300 punonjës rusë mbeten në objekt.

Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi ai tha se janë duke u bërë përgatitje për një fazë të tretë të evakuimit për personelin në centralin Bushehr. Ai shtoi se po reduktojnë përkohësisht numrin e specialistëve rusë në vend në minimum “derisa situata të kthehet në normalitet”.

Dje, gjithashtu u raportua për një sulm pranë objektit bërthamor. Një sulm i ngjashëm ndodhi më 17 mars, pa shkaktuar dëme apo të lënduar.

SHBA-ja dhe Izraeli kanë kryer sulme ajrore ndaj Iranit që nga 28 shkurti, duke vrarë më shumë se 1.340 persona, përfshirë ish-liderin suprem Ali Khamenei.

Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, si dhe Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit që strehojnë kapacitete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe në aviacion.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.