Ekip
10 Shtator 2019•Përditësim: 10 Shtator 2019
Koreja e Veriut sot herët lançoi dy raketa me rreze të shkurtër, pavarësisht se pranoi një ofertë për dialog nga SHBA-të vetëm disa orë më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Raketat u lançuan në det të hapur por ato fillimisht fluturuan mbi tokë përtej Gadishullit Korean nga krahina e Phenianit të Jugut. Ekspertët e Koresë së Jugut dhe ata të SHBA-së janë duke shqyrtuar së bashku se çfarë lloj predhash ishin lançuar.
Ishte ky lançimi i parë i Koresë së Veriut pas 17 ditëve, por lançimi i 10-të i raketave nga fillimi i vitit, që shihet se Pheniani po bën presion ndaj SHBA-së mes procesit të tyre të dialogut.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo sugjeroi të dielën e kaluar se presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të ishte "shumë i zhgënjyer" nëse udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un nuk kthehet në bisedimet e denuklearizimit.
Trump dhe Kim ranë dakord të rifillojnë bisedimet gjatë takimit në kufirin ndërkorean në qershor.
Choe Son-hui, zëvendësministri i parë i Jashtëm i Veriut, të hënën për agjencinë shtetërore KCNA, të drejtuar nga Pheniani tha se vendi i tyre është gati të zhvillojë dialog më vonë këtë muaj, megjithëse i bëri thirrje Washingtonit që të bëjë një propozim të pranueshëm.