Bota

Libia ankohet në OKB për veprimet e Emirateve të Bashkuara Arabe

Në letër kritikohet EBA se ka transformuar Abu Dhabin në një platformë mediatike që punon kundër GNA-së

Ali Murat Alhas  | 10.09.2019 - Përdıtësım : 10.09.2019
Libia ankohet në OKB për veprimet e Emirateve të Bashkuara Arabe

Tripoli

Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) në Libi, që është e njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), ka akuzuar Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për armiqësi dhe mbështetje të një grusht shteti kundër qeverisë legjitime, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qeveria ka dorëzuar një ankesë në Këshillin e Sigurimit në OKB për shkak të veprimeve të EBA-s që shkelin vendimet e marra nga GNA, thuhet në kumtesën e tyre.

Në letër kritikohet EBA se ka transformuar kryeqytetin Abu Dhabi në një platformë mediatike që punon kundër GNA-së dhe ka theksuar se EBA mbajnë përgjegjësinë shpirtërore dhe morale për sulmet në Tripoli.

Më 27 gusht, Fawzi Buharara, ish-gjeneral i Khalifa Haftar, pranoi se kur është sulmuar jugu i Tripolit, EBA ka siguruar mbështetje ajrore me mjete pa pilot.

Në prill, forcat besnike të Haftarit filluan një sulm për marrjen e Tripolit nga forcat e GNA-së.

Përleshjet midis dy palëve që nga ajo kohë kanë lënë më shumë se 1.000 njerëz të vdekur dhe rreth 5.500 të plagosur, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Libia është zhytur në trazira që nga viti 2011, kur sundimtari shumëvjeçar Muammar Gaddafi u përmbys dhe u vra në një kryengritje të përgjakshme të mbështetur nga NATO pas katër dekadash në pushtet.

Vendi i pasur me naftë që atëherë drejtohet nga dy qeveri rivale, njëra në lindje të Libisë me të cilën udhëheq gjenerali Haftar dhe GNA me qendër në Tripoli, e cila gëzon mbështetjen e OKB-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.