Ahmet Furkan Mercan
15 Shtator 2021•Përditësim: 15 Shtator 2021
Japonia njoftoi se Koreja e Veriut ka kryer test raketor për të cilin parashikohet se është "balistik", transmeton Anadolu Agency (AA).
Transmetuesi publik NHK, sipas lajmit të tij të bazuar mbi burimet e qeverisë japoneze, bëri të ditur se Koreja e Veriut kreu test raketor në orët e mëngjesit të 15 shtatorit.
Ministria japoneze e Mbrojtjes njoftoi se "raketa balistike" që parashikohet se ka testuar Koreja e Veriut, nuk ka rënë në territorin nën juridiksionin e Japonisë.
Sipas agjencisë Kyodo, Roja Bregdetare e Japonisë tha se raketa mund të ketë rënë jashtë zonës ekskluzive të Japonisë.
Ndërsa Associated Press (AP) në lajmin e saj të bazuar në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut ka vënë në dukje se Pheniani e ka lëshuar raketën në brigjet lindore të vendit.
Në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut nuk janë dhënë informacione të detajuara lidhur me raketën e lëshuar në brigjet lindore të Gadishullit Korean.
Ka tërhequr vëmendjen se testimi raketor është kryer pas Samitit me temë "Koreja e Veriut" që mbajtën dje në Tokio diplomatët e SHBA-së dhe Koresë së Jugut.
Agjencia Yonhap në lajmin e saj të bazuar mbi burimet e Koresë së Veriut theksoi se ky vend ka testuar në fundjavë një "raketë të re" me rreze 1.500 kilometra.