Michael Hernandez
22 Janar 2017•Përditësim: 23 Janar 2017
WASHINGTON (AA) – Koalicioni nën kryesimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që lufton kundër DEASH-it të shtunën bëri të ditur se janë goditur mbi 90 varka dhe tre kamionë me të cilat tentuan të transportojnë anëtarë të organizatës terroriste në Mosulin perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).
Terroristët e DEASH-it tentuan të kalojnë përmes lumit Tigër në bregun perëndimor të Mosulit teksa forcat irakiane të sigurisë vendosnin në kontroll pjesën lindore të qytetit, njoftohet nga koalicioni.
Forcat irakiane më parë gjatë javës morën kontrollin mbi të gjithë pesë urat që lidhin dy anët e qytetit.
“Besojmë se ky është tentim dëshpërues i tërheqjes së luftëtarëve të DEASH-it, tani kur forcat irakiane kontrollojnë bregun lindor dhe çdo urë në Mosul”, tha kolonel John Dorrian, zëdhënës i koalicionit.
Në tetor të vitit të kaluar forcat irakiane, me mbështetje të koalicionit dhe aleatëve lokalë në terren filluan fushatën e gjerë të marrjes nën kontroll të Mosulit, të cilin DEASH-i e mori nga mesi i vitit 2014.