Halit Süleyman,Mohamad Misto
12 Gusht 2016•Përditësim: 13 Gusht 2016
HALEP (AA) – Koalicioni Arab i Sirisë dhe krahu terrorist i PKK-së në Siri, PYD, të mbështetura nga SHBA-të, kanë marrë nën kontroll qytetin Munbixh i cili gjendej nën kontrollin e DAESH-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave që gazetari i AA-së i ka siguruar nga burimet lokale, Koalicioni Arab i Sirisë dhe PYD, pas sulmeve prej dy muajve e gjysmë kanë marrë nën kontroll qytetin e Munbixhit, në perëndim të lumit Eufrat, nga organizata terroriste DAESH.
Në qytetin që ndodhet në veri të Halepit dhe nën prefekturën e tij, militantët e DAESH-it u tërhoqën nga vendbanimi i fundit, lagja Sirb, dhe së bashku me afër 500 civilë të cilët u përdorën si mburojë e gjallë, u larguan në veri drejt qytetit Xherablus në kufi me Turqinë.
Ndërkaq, po ashtu edhe aeroplanët e koalicionit të cilët i mbështetën operacionet e Koalicionit Arab të Sirisë shënjestruan militantë dhe civilë, ku si pasojë humbën jetën më shumë se 20 persona.
Operacioni i forcave të Koalicionit Arab të Sirisë dhe PYD-së në Munbixh kishte filluar në muajin maj. Grupet të cilat duke avancuar nga perëndimi i Eufratit arritën të marrin nën kontroll shumë fshatra dhe vendbanime, qytetin e Munbixhit e mbanin të rrethuar prej dy muajsh.
Ndryshe, DAESH-i e kishte okupuar Munbixhin, i cili ishte nën kontrollin e opozitarëve sirianë, në vitin 2014.
Koalicioni Arab në Siri funksionon nën çatinë e Forcave Demokratike të Sirisë, të cilat udhëhiqen nga krahu i organizatës terroriste PKK në Siri, PYD.
Qeveria amerikane i kishte dhënë garanci Turqisë për largimin e militantëve të PYD-së nga kjo zonë, e cila kishte filluar me operacione pas marrjes së qytetit Munbixh në perëndim të lumit Eufrat nga ana e DAESH-it.