Ekip
12 Mars 2019•Përditësim: 12 Mars 2019
Një klerik dhe njëherësh figurë që mbështet pavarësinë, ka refuzuar ftesën nga shërbimet e inteligjencës së Indisë për të udhëtuar në New Delhi, duke vënë theksin tek çështja e sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Agjencia Hetuese Nacionale e Indisë (AHN) ka ftuar Mirwaiz Umar Farooq, ndërsa avokati i tij ka përcjellë refuzimin për të udhëtuar në New Delhi, duke kërkuar që marrja në pyetje të realizohet në Srinagar, në selinë administrative në rajonin Jammu dhe Kashmir të udhëhequr nga India.
“Nëse AHN dëshiron që të ekzaminoj klientin tim Mirwaiz Umar Farooq, atëherë këtë mund ta bëjnë në Srinagar. Ai është i gatshëm që të bashkëpunojë pasi nuk ka çfarë të fshehë”, thuhet në kumtesën me shkrim të avokatit Aijaz Ahmad Dar.
Avokati ka theksuar se nuk do të ishte një veprim i matur nëse kleriku udhëton në New Delhi “në kushte kur mbizotëron armiqësia”, që paraqet një kërcënim për sigurinë e tij.
Mirwaiz Umar Farooq, si shumica e liderëve që mbështesin pavarësinë në rajon, është duke u hetuar nga agjencitë indiane për “financim të terrorizmit”, që shihet si një masë për presion dhe burgosje të liderëve të Kashmirit. Rastin e agjencisë indiane, avokati e ka përkufizuar si tentim të pabazuar për të lidhur klientin e tij përmes manipulimeve me rastet e rreme dhe të fabrikuara të “financimit të terrorizmit”
“Është e qartë që kjo ka për qëllim për të heshtur atë përmes frikësimit dhe presionit”, tha ai, duke shtuar se klienti i tij gjithnjë ka qenë i përkushtuar për një “zgjidhje paqësore të çështjes së Kashmirit”.
Ftesa e agjencisë indiane ndaj klerikut Miwaiz shihet si pjesë e masave të vazhdueshme të autoriteteve indiane për të heshtur figurat që mbështesin pavarësinë në rajonin e Kashmirit.
Dy javë më parë, qeveria indiane ka ndaluar organizatën Jamaat e Islami dhe ka arrestuar mbi 300 anëtarë të saj, duke burgosur pa proces gjyqësor edhe liderin e lartë Yasin Malik, që është mbështetës i pavarësisë.
Pjesë të ndryshme me shumicë muslimane të rajonit Jammu dhe Kashmir administrohen nga India dhe Pakistani, përderisa të dy shtetet kanë pretendime për tërë rajonin.
Dy shtetet në jug të Azisë, që nga ndarja e tyre në vitin 1947, kanë luftuar mes vete në tre luftëra në vitet 1948, 1965 dhe në 1971, dy prej të cilave mbi Kashmirin.
Forcat e Indisë dhe Pakistanit kanë luftuar me disa ndërprerje në Kashmir që nga viti 1984, ndërsa një armëpushim u zbatua në vitin 2003.
Disa grupe në Jammu dhe Kashmir kanë luftuar për pavarësimin e rajonit nga qeverisja indiane apo për unifikim me Pakistanin.
Sipas disa organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mijëra njerëz kanë humbur jetën shkaku i konfliktit që nga viti 1989.