Tensioni i fundit mes Indisë dhe Kinës, i cili u rrit me vdekjen e 20 ushtarëve indianë, përfshirë edhe një oficer, kujton tensionet e ngjashme që kanë ndodhur për dekada mes dy vendeve, shkruan Anadolu Agency (AA).
Ndërkohë që ngjarja më e dhunshme mes dy vendeve që prej vitit 1975 u përjetua dje me vdekjen e 20 ushtarëve indianë, rajonet kufitare të diskutueshme janë bërë shpeshherë skenë e konflikteve në vitet e fundit.
Sipas maarrëveshjes së nënshkruar në vitin 1993 mes Indisë dhe Kinës, është vendosur që ushtarët të mos mbajnë armë gjatë patrullimeve kufitare.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, njoftoi se ushtarët indianë dje shkelën seriozisht marrëveshjen e arritur mes dy palëve në rajonin Ladakh, duke kaluar në mënyrë të paligjshme dy herë kufirin dhe duke kryer sulme provokative ndaj personelit kinez.
Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Indisë, Anurag Srivastava, theksoi se ai beson në ruajtjen e paqes dhe qetësisë në zonat kufitare të vendit të tij dhe zgjidhjen e dallimeve përmes dialogut.
Mes dy vendeve problemet kufitare kanë ndodhur përgjatë 70 viteve të fundit.
1947- 1962
Kina ndërtoi 1.200 kilometra rrugë që lidh me njëra-tjetrën pjesën perëndimore të Tibetit dhe rajonin autonom ujgur Xinjiang. Një pjesë prej 179 kilometrash e rrugës në jug të vijës Johnson kalonte në rajonin Aksai Chin i cili pretendohet nga India.
Në vitin 1960, duke u bazuar në marrëveshjen mes kryeministrit të Indisë Jawaharlal Nehru me homologun e tij kinez Zhou Enlai, zyrtarë nga të dy vendet zhvilluan bisedime për të zgjidhur mosmarrëveshjen kufitare.
Dy vendet hynë në luftë në vitin 1962 pasi nuk mundën të dakordësoheshin për çështjen e kufirit, dhe si pasojë humbën jetën 3 mijë ushtarë indianë dhe 700 kinezë.
Konfliktet "Nathu La" dhe "Cho La" më 11 shtator 1967
Ushtria kineze ndërmori sulme ndaj pikës ushtarake indiane në Nathu La, e cila ishte një rrugë këmbësore malore në lindje të rajonit Sikkim të Indisë dhe si rrjedhojë mes dy vendeve ndodhën konflikte.
Tetor 1975
Ndërkaq, në ngjarjet e ndodhura mes ushtarëve të të dy vendeve në Tulung La, e cila ndodhet në zonën Tawang në rajonin Arunachal Pradesh të Indisë, humbën jetën 4 ushtatë indianë. Ngjarja u përshkrua më vonë si një aksident i shkaktuar nga dy automjete patrulluese që humbën rrugën në mjegull.
Prill 2013
India njoftoi se njësitë kineze kanë hyrë 10 kilometra brenda Vijës së Kontrollit Aktual (FAC) mes dy vendeve dhe ngritën kamp në Daulat Beg Oldi. Më pas India pretendoi se njësitë kineze përparuan 19 kilometra.
Ushtarët e të dy vendeve ngritën kampe përballë njëri-tjetrit dhe tensionet e shkaktuara përfunduan me tërheqjen e ushtarëve në fillim të muajit maj.
Shtator 2014
India filloi ndërtimin e një kanali në fshatin kufitar Demcho në Ladakh dhe kjo situatë u protestua nga Kina. Pas ngjarjes, Kina dërgoi në zonë njësitë e saj dhe tensionet përfunduan me tërheqjen e ushtarëve të të dy palëve pas tri javësh.
Shtator 2015
Njësitë e dy vendeve u vendosën përballë njëra-tjetrës në zonën Burtse në veri të Ladakh pasi ushtarët indianë shkulën kabinën e rojeve të ngritur nga ushtarët kinezë.
Qershor 2017
Një mosmarrëveshje ushtarake ndodhi në zonën e diskutueshme Doklam në afërsi të kalimit Doka La që shtrihet përgjatë kufirit në rajonin Sikkim dhe Butan.
Kina filloi të ndërtojë një rrugë me mjetet e rënda që dërgoi në rajon. India me 18 qershor, dy ditë pasi Kina filloi ndërtimin e rrugës, ndërhyri me njësitë e saj.
Gusht 2017
Në ngjarjet e ndodhura në liqenin Pangong që ndodhet në një lartësi 4.350 metra lartësi mbi nivelin e detit u plagosën shumë ushtarë nga të dy palët. Shtypi indian njoftoi plagosjen e 72 ushtarëve indianë dhe shtrimin në spital të disa prej tyre.
5 maj 2020
Këtë vit mes ushtarëve indianë dhe kinezë ndodhi një përleshje në zonën përreth liqenit Pangong i cili shtrihet nga Ladakh në rajonin autonom Tibet të Kinës. Në pamjet e publikuara në media u vërejt grindje e ushtarëve me grushta dhe gjuajtje me gurë drejt njëri-tjetrit.
10 maj 2020
Ushtarët e dy vendeve u përballën në Luginën Muguthang në rajonin Sikkim. Sipas CNN, në ngjarjet e ndodhura u plagosën 11 ushtarë, prej të cilëve 7 kinezë dhe 4 indianë. Ndërsa në lajmin e Press Trust of India u theksua se në ngjarje u përfshinë 150 ushtarë.
21 maj 2020
Njësitë kineze, duke kundërshtuar ndërtimin e rrugës nga India, hynë në Luginën Galwan në Ladakh.
24 maj 2020
Njësitë kineze ngritën kampe në rajonet "Hot Springs, Patrolling Point 14 dhe Patrolling Point 15". Në çdonjërin prej vendeve në fjalë u ngritën 800 deri në 1.000 çadra ushtarake të Kinës dhe në këto rajone u dërguan gjithashtu mjete të rënda dhe pajisje vëzhgimi.
15 qershor 2020
Në konfliktin mes ushtarëve indianë dhe kinezë në Luginën Galwan në rajonin Ladakh, humbën jetën 20 ushtarë indianë. Shtypi indian pretendoi se u vranë ose u plagosën rëndë 43 ushtarë të Kinës.
5 marrëveshjet mes Indisë dhe Kinës
Mes Indisë dhe Kinës janë bërë pesë marrëveshje bilaterale lidhur me mosmarrëveshjet kufitare. Këto marrëveshje radhiten si më poshtë:
1993: Marrëveshja për Mbrojtjen e Paqes dhe Qetësisë përgjatë Vijës Aktuale të Kontrollit në Zonat Kufitare Indi - Kinë.
1996: Marrëveshja e Masave për Rritjen e Besimit përgjatë Vijës Aktuale të Kontrollit në Territorin Ushtarak në Zonat Kufitare Indi - Kinë.
2005: Protokolli për Mënyrat e Zbatimit të Masave për Rritjen e Besimit në Territorin Ushtarak përgjatë Vijës Aktuale të Kontrollit në Zonat Kufitare Indi - Kinë.
2012: Formimi i Mekanizmit të Punës për Konsultim dhe Koordinim në Marrëdhëniet Kufitare Indi - Kinë.
2013: Marrëveshja e Bashkëpunimit të Mbrojtjes Kufitare mes Indisë dhe Kinës.