Bota

Kinë, mbahet mbledhja dhe konferenca e 57-të e Bordit drejtues të OANA-s

"Mbrojtja e të drejtave të gazetarëve duhet të jetë përparësi për institucionet shtetërore në të gjitha vendet", thuhet në deklaratën e përbashkët të takimit

Emre Aytekin  | 04.12.2025 - Përdıtësım : 04.12.2025
Kinë, mbahet mbledhja dhe konferenca e 57-të e Bordit drejtues të OANA-s

Boao

Mbledhja e 57-të e Bordit drejtues dhe konferenca e Shoqatës së Agjencive të Lajmeve të Azi-Paqësorit (OANA) u mbajt në provincën Hainan të Kinës, raporton Anadolu.

Mbledhja në qytetin Boao u moderua nga Fu Hua, kryetar i Bordit drejtues të agjencisë së lajmeve Xinhua të Kinës dhe Andrey Kondrashov, drejtor i përgjithshëm i agjencisë ruse të lajmeve TASS, e cila aktualisht mban presidencën e OANA-s.

Në takim, ku morën pjesë drejtues nga agjencitë e lajmeve anëtare të OANA-s, morën pjesë edhe Serdar Karagoz, kryetar i Bordit drejtues dhe drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Anadolu (AA) dhe Bilgehan Ozturk, menaxher i komunikimeve strategjike dhe marrëdhënieve me jashtë të AA-së.

Anëtarët e Bordit të OANA-s lëshuan deklaratë të përbashkët në takim duke bërë thirrje për sigurinë e gazetarëve në zonat e konfliktit. "Gazetarët në zonat e konfliktit kryejnë shërbim publik, duke luftuar lajmet e rreme dhe duke mbrojtur të drejtën e njerëzve për t'u informuar. Mbrojtja e të drejtave të gazetarëve duhet të jetë përparësi për institucionet shtetërore në të gjitha vendet", thuhet në deklaratë.

Agjencia kombëtare mongole e lajmeve MONTSAME u zgjodh në anëtarësinë e Bordit të drejtuesve për vendin vakant të organizatës. Gjithashtu u vendos që mbledhja e 58-të e Bordit të OANA-s të organizohet nga agjencia e lajmeve të Katarit QNA dhe mbledhja e 59-të e Bordit të OANA-s të organizohet nga agjencia vietnameze e lajmeve VNA në këto vende.

Pas mbledhjes së Bordit drejtues u mbajtën panele për të diskutuar transformimin e sjellë nga inteligjenca artificiale në media, implikimet e saj etike si dhe kërcënimet globale për gazetarët dhe masat e nevojshme për sigurinë e informacionit.


- AA fton Xinhuan

Pas mbledhjes, kryetari i Bordit drejtues dhe drejtori i përgjithshëm i AA-së, Serdar Karagoz u takua me Fu-në, kryetarin e Bordit drejtues të Xinhua-s, organizatës pritëse.

Duke kujtuar se Turqia do të marrë presidencën e 31-të dhe do të jetë vendi pritës i konferencës së palëve (COP), organit më të lartë vendimmarrës të konventës kornizë të OKB-së për ndryshimet klimatike në vitin 2026, Karagoz tha se AA do të organizojë forum mjedisor para këtij samiti për të adresuar përgjegjësitë e organizatave të lajmeve në çështjet mjedisore dhe ftoi Fu-në dhe ekipin e Xinhua-s në Turqi për forumin.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.