Ekip
17 Shkurt 2016•Përditësim: 17 Shkurt 2016
TAIPEI (AA) - Kina të mërkurën ka pozicionuar raketa kundër-ajrore në një nga ishujt e diskutueshëm në Detin e Kinës Jugore, deklaruan zyrtarët e tajvanezë dhe amerikanë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria tajvaneze e Mbrojtjes bëri të ditur se "Kina komuniste ka vendosur një numër të papërcaktuar të raketave në ishullin Woody", ndërsa autoritetet Filipine paralajmëruan se vendosja e raketave shkakton rritjen e tensioneve rajonale. Ishulli është pjesë e zinxhirit Paracel, i cili kontrollohet nga Kina për gati gjysmë shekulli, për të cilin pretendojnë Tajvani dhe Vietnami.
Kina po ndërton ishuj të rinj në zonën e kontestuar të Detit të Kinës Jugore duke hedhur rërë në shkëmbinjtë nënujorë dhe pastaj vendos pista dhe objekte ushtarake. Kjo konsiderohet si përpjekje e Pekinit për të përvetësuar pothuajse të gjithë Detin e Kinës Jugore dhe burimet e saj, që ka çuar disa prej fqinjëve të Kinës të afrohen me SHBA-të, sipas mediave amerikane.