Riyaz Khaliq Khaliq
07 Korrik 2022•Përditësim: 07 Korrik 2022
Partia Komuniste e Kinës (PKK) është një “kërcënim në rritje” për interesat e Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, kanë thënë shefat e shërbimeve sekrete britanike dhe amerikane, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Kina është në krye të axhendës së 'Five Eyes' (Pesë Sytë) ndërsa ekipet tona janë duke punuar bashkërisht ngushtë në prioritetet tona të përbashkëta”, thanë shefat e inteligjencës në një fjalim të rrallë të përbashkët në selinë qendrore të MI5 në Londër të mërkurën.
Përveç SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Zelanda e Re, Kanadaja dhe Australia janë pjesë e paktit të shkëmbimit të të dhënave të inteligjencës "Five Eyes".
Kreu i MI5, Ken McCallum dhe drejtori i FBI-së, Chris Wray e përshkruan Kinën si një "sfidë të madhe të përbashkët".
“Sfida më e madhe me të cilën po përballemi vjen nga Partia Komuniste Kineze. Ajo po ushtron presion të fshehtë në të gjithë globin. Kjo mund të duket abstrakte. Por, është e vërtetë dhe është çështje urgjente. Duhet të flasim për këtë. Duhet të veprojmë”, deklaruan ata në një takim me zyrtarë dhe drejtues të biznesit të zgjedhur.
Deri më tani nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga Pekini, por sipas raporteve që citojnë zëdhënësin e ambasadës kineze në Washington, ai i quajti akuzat si "të pabaza".
“Ne kurrë nuk do të inkurajojmë, mbështesim apo inkurajojmë sulmet kibernetike”, tha zëdhënësi.
Në deklaratën e përbashkët, shefat e inteligjencës thanë se partia kineze "miraton një qasje në të gjitha strukturat e shtetit sipas së cilës bizneset dhe individët detyrohen me ligj të bashkëpunojnë me partinë".
Kompanitë që janë të pranishme në tregun kinez i nënshtrohen "një vëmendjeje më të madhe sesa mund të paramendoni", shtuan shefat e inteligjencës.
Shefi i MI5 akuzon Kinën për përfshirje në vjedhje të fshehta, transferim teknologjie, shfrytëzim të kërkimeve dhe krim kibernetik.
“Kjo është përshkruar si transferimi më i madh i pasurisë në historinë njerëzore. Ekipet e MI5 e shohin Partinë Komuniste Kineze duke punuar për të ngadalsuar avantazhin e Mbretërisë së Bashkuar në mënyra të shumta”, pretendon McCallum.
“Partia Komuniste Kineze është e interesuar për sistemet tona demokratike, mediatike dhe ligjore. Jo për t'i imituar ata, mjerisht, por për t'i përdorur ato për përfitimin e tyre", shtoi ai.
Kundër kërcënimeve shtetërore, qoftë nga Kina, Rusia apo Irani, ka nevojë për “një përgjigje të thellë të të gjithë sistemit”, tha ai.