Bota

Kina kritikon SHBA-në, i ofron mbështetje Venezuelës

"Kina kundërshton sanksionet e njëanshme dhe të paligjshme që nuk kanë bazë në ligjin ndërkombëtar ose nuk kanë autorizim nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së", tha Jian

Riyaz Khaliq Khaliq  | 22.12.2025 - Përdıtësım : 22.12.2025
Kina kritikon SHBA-në, i ofron mbështetje Venezuelës

Stamboll

Kina kritikoi sot SHBA-në për "sekuestrimin arbitrar" të anijeve të kombeve të tjera mes tensioneve në rritje në Karaibe, transmeton Anadolu.

"Praktika amerikane e sekuestrimit arbitrar të anijeve të vendeve të tjera shkel rëndë ligjin ndërkombëtar", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian në një konferencë për mediat në Pekin. "Kina kundërshton sanksionet e njëanshme dhe të paligjshme që nuk kanë bazë në ligjin ndërkombëtar ose nuk kanë autorizim nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së", tha Jian.

Deklarata nga Pekini erdhi ndërsa forcat amerikane po ndiqnin një tjetër tanker nafte të Venezuelës në Karaibe, dhe nëse kapet do të jetë anija e tretë e sekuestruar që nga 10 dhjetori. "Operacioni" i Rojës Bregdetare Amerikane synon tankerin "Bella 1", anije me flamur panamez të sanksionuar nga SHBA-ja, e cila është në rrugë drejt Venezuelës për të ngarkuar naftë, raportoi Bloomberg të dielën.

Incidenti vjen pas hipjes në bordin e anijes supertanker Centuries të shtunën dhe Skipper më 10 dhjetor. Zhvillimet vijnë mes tensioneve të larta midis Washingtonit dhe Karakasit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump shpalli "bllokadë totale dhe të plotë" të tankerëve të naftës të sanksionuar që hyjnë ose dalin nga Venezuela. Ndërsa Venezuela dënoi veprimet e SHBA-së si "pirateri ndërkombëtare".

Washingtoni tha se masat synojnë të luftojnë korrupsionin dhe trafikun e drogës ndërsa Karakasi akuzon SHBA-në se po përdor përpjekjet kundër narkotikëve si pretekst për të larguar presidentin Nicolas Maduro nga pushteti dhe për të fituar kontroll mbi burimet e naftës së Venezuelës.

"Ne qëndrojmë kundër çdo lëvizjeje që shkel qëllimet e Kartës së OKB-së dhe shkel sovranitetin dhe sigurinë e vendeve të tjera dhe të gjitha akteve të unilateralizmit dhe ngacmimit", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze.

"Venezuela ka të drejtë të zhvillojë në mënyrë të pavarur bashkëpunim të dobishëm reciprokisht me vendet e tjera. Ne besojmë se komuniteti ndërkombëtar mund ta kuptojë dhe mbështesë qëndrimin e Venezuelës për të mbrojtur të drejtat e veta", tha Jian.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.