Kina kërkon përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme
Kina u bëri thirrje të gjitha palëve në konflikt në Lindjen e Mesme të promovojnë "fundin e luftës", duke paralajmëruar për më shumë viktima nëse konflikti vazhdon
Stamboll
Kina u bëri thirrje sot të gjitha palëve në konflikt në Lindjen e Mesme të promovojnë "fundin e luftës", duke paralajmëruar për më shumë viktima nëse konflikti vazhdon, transmeton Anadolu.
"Nëse lufta vazhdon, ajo do të sjellë më shumë viktima dhe humbje dhe do të çojë në një përhapje më të madhe të situatës", u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian i cili shtoi se "Lufta nuk u shërben interesave të askujt".
"Prioriteti urgjent tani është të promovohen në mënyrë aktive bisedimet e paqes, të shfrytëzohen mundësitë për paqe dhe të promovohet përfundimi i luftës", tha Jian.
Ai tha se Kina mbështet përpjekjet që çojnë në uljen e tensioneve. "Të gjitha palët duhet të punojnë në të njëjtin drejtim dhe të krijojnë kushte për fillimin e negociatave të vërteta të paqes që janë kuptimplote dhe të sinqerta", tha Jian.
Sipas tij, Kina është e gatshme të vazhdojë të luajë rol konstruktiv për këtë qëllim.
Lidhur me udhëtimin e vonuar të presidentit të SHBA-së, Donald Trump në Kinë, Jian tha se diplomacia e kreut të shtetit luan rol të pazëvendësueshëm në lidhjet dypalëshe midis dy vendeve.
"Të dy palët janë në komunikim në lidhje me vizitën e presidentit Trump në Kinë", tha ai.
Udhëtimi i planifikuar fillimisht për 31 mars deri më 2 prill, u shty pasi Trumpi tha se do të qëndronte në Washington për shkak të luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin.
Duke njoftuar datat e reja për udhëtimin, Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se Trumpi do të udhëtojë për në Pekin për një samit me presidentin kinez Xi Jinping më 14-15 maj.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
