Alperen Aktaş
01 Qershor 2023•Përditësim: 05 Qershor 2023
Diplomati i lartë kinez, Wang Yi dhe këshilltari i politikës së jashtme dhe sigurisë i kancelarit gjerman, Jens Plotner, në një takim kanë ra dakord se të dy vendet duhet të punojnë së bashku për të adresuar sfidat globale, transmeton Anadolu.
Wang, ish-ministër i jashtëm, aktualisht drejtor i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (CPC), bëri thirrje për stabilizimin e marrëdhënieve me dinjitarin gjerman në takimin në Pekin.
Siç raporton agjencia e lajmeve Xinhua duke u bazuar në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Wang theksoi se Gjermania jo vetëm që duhet të zhvillojë në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet dypalëshe, por gjithashtu duhet të kontribuojë në adresimin e përbashkët të sfidave globale.
Wang tha se Kina është e gatshme të nxisë bashkëpunim reciprokisht të dobishëm me komunitetin ndërkombëtar dhe theksoi përkushtimin e vendit për zhvillim paqësor.
Përballë paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë ndërkombëtare në rritje, ai theksoi se Pekini dhe Berlini duhet të punojnë së bashku për ta bërë konsultimin e shtatë ndërqeveritar Kinë-Gjermani një sukses dhe për të dërguar një sinjal pozitiv për Evropën dhe botën.
Plotner, nga ana e tij, tha se themeli i marrëdhënieve të dy vendeve është i fortë dhe se Berlini do të vazhdojë të ndjekë me vendosmëri politikën “një Kinë”.
“Ne jemi plot pritje për raundin e ardhshëm të konsultimit ndërqeveritar midis dy vendeve dhe do të punojmë së bashku për të përshpejtuar punën përgatitore”, tha Plotner gjatë takimit.
Në njoftim po ashtu theksohet se diskutimi përfshiu edhe shqetësime të përbashkëta për çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, përfshirë situatën në Ukrainë.