Tevfik Durul
04 Maj 2017•Përditësim: 04 Maj 2017
PEKIN (AA) - Ndotja e ajrit ka arritur përmasa të rrezikshme në pjesën qendrore dhe veriore të Kinës, raporton Anadolu Agency (AA).
Administrata Nacionale Kineze e Meteorologjisë ka njoftuar se vlera PM 2.5 që mat shkallën e grimcave të dëmshme në ajër ka arritur në 800 në tetë provinca të Kinës, përfshirë edhe Pekinin, që është 32 herë më e lartë se vlera 25 e pranuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si pragu "i shëndetshëm". Në vlerën PM 2.5, niveli mbi 150 llogartet si "i rrezikshëm".
Vala e ajrit të ndotur që është sjellë nga stuhia ranore që ka filluar të jetë aktive në pjesën qendrore dhe veriore të vendit nga mbrëmë, ka shkaktuar që rreziku nga ndotja e ajrit të kalojë në përmasa të rrezikshme. Në disa zona të kryeqytetit me 21 milionë banorë, distanca e shikueshmërisë ka rënë deri në 100 metra.
Autoritetet kanë paralajmëruar që të mos dilet jashtë pa nevojë derisa të kalojë ndotja e ajrit dhe stuhia e cila supozohet se do të zgjasë deri nesër në mëngjes. Ata kanë rekomanduar të përdoren maska dhe të mënjanohen aktivitetet në të cilat nevojiten përpjekje fizike.
Stuhia ranore e ardhur nga Mongolia e Brendshme
Teksa është bërë thirrje që ngasësit e automjeteve të jenë të kujdesshëm për shkak të zvogëlimit të distancës së shikueshmërisë, bëhet e ditur që në aeroporte po ashtu janë marrë masa të sigurisë.
Stuhia ranore që ka ardhur nga Rajoni Autonom i Mongolisë së Brendshme që ndodhet në veri të Kinës, është bashkuar me grimcat e dëmshme dhe në këtë mënyrë ka shkaktuar që ndotja të përhapet në një diametër më të gjerë.
Grimcat e dëmshme në ajër hyjnë në mushkëri përmes frymëmarrjes dhe mund të shkaktojnë infektim të rrugëve të frymëmarrjes, mpiksje të gjakut dhe probleme në zemër, duke sjellë pasoja vdekjeprurëse për personat e moshuar që vuajnë nga sëmundje si astma dhe sëmundja obstruktive kronike.
Ndotja e ajrit për çdo vit merr jetën e 1.6 milion kinezëve
Për çdo vit në Kinë, shteti më i populluar në botë me popullsi prej afërsisht 1 miliard e 370 milionë banorësh, jetën humbin 1 milion e 600 mijë njerëz për shkak të sëmundjeve që lidhen me ndotjen e ajrit.
Posaçërisht nga viti 2014, Kina përpiqet të luftojë me ndotjen e mjedisit dhe ajrit. Si rezultat i zhvillimit dhe industrializimit të shpejtë, shumica e qyteteve të mëdha të Kinës në të njëjtën kohë bëjnë pjesë në mesin e qyteteve më të ndotura në botë.
Në kohën e alarmimeve për ndotje të arjit, në Kinë mbyllen shkollat, zvogëlohet numri i automjeteve në trafik, kurse njerëzit dalin në rrugë me maska.