Ekip
12 Qershor 2016•Përditësim: 12 Qershor 2016
PEKIN (AA) – Ekipet kineze të shpëtimit kanë njoftuar se 14 persona kanë humbur jetën në përmbytjen e anijes në një liqen në jugperëndim të provincës Sichuan, kurse një person ende rezulton i zhdukur, raporton Anadolu Agency (AA).
E përditshmja kineze China Daily, të shtunën ka njoftuar për vazhdimin e operacioneve të kërkimit për personin e pagjetur, i cili u zhduk në aksidentin e ndodhur gjatë një turneu tre-orësh në liqenin Bailong.
Në anije thuhet se ndodheshin 18 persona, shumica e të cilëve ishin çifte të reja me fëmijët e tyre.
Katër prej tyre u shpëtuan menjëherë pas incidentit, por një fëmijë më vonë ndërroi jetë në spital.
Autoritetet thonë se aksidenti ka ndodhur për shkak të erërave të forta që kapluan të gjithë zonën në atë kohë.