Serdar Bıtmez,Mahmut Geldi
03 Nëntor 2022•Përditësim: 04 Nëntor 2022
Katari vlerësoi përpjekjet e Türkiye-s për të riaktivizuar marrëveshjen për dërgesat e drithit nga Ukraina, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit ka shprehur kënaqësi që Rusia iu kthye marrëveshjes së nënshkruar me Ukrainën në korrik 2022 në Istanbul për eksportin e drithit nga Deti i Zi.
“Shteti i Katarit vlerëson të gjitha përpjekjet e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Republikës së Türkiye-s për rifillimin e marrëveshjes së drithit”, thuhet në deklaratë, në të cilën është shprehur shpresë që negociatat për vazhdimin e kësaj marrëveshjeje me qëllim të mbrojtjes së sigurisë ushqimore botërore të japin rezultate.
Më 22 korrik, Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithit në Detin e Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt.
Të shtunën, Rusia njoftoi pezullimin e pjesëmarrjes së saj në marrëveshje për shkak të asaj që pretendonte se ishte një sulm ukrainas në flotën e saj të Detit të Zi në portin e Sevastopolit.
Ndërkaq, dje, Türkiye dhe Rusia njoftuan kthimin e Moskës në zbatimin e marrëveshjes së drithit pas ndërmjetësimit të Ankarasë dhe OKB-së.