Ahmed al-Masri,Zeynep Tüfekçi
11 Tetor 2017•Përditësim: 11 Tetor 2017
DOHA (AA) - Qeveria e Katarit ka thënë se Kampionati Botëror 2022 do të mbahet dhe se kjo nuk mund të jetë temë diskutimi në kontekstin e krizës aktuale diplomatike dhe bllokadës së imponuar Katarit nga vendet fqinje të Gjirit, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtari i lartë i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) kohët e fundit ka deklaruar se kriza diplomatike e Gjirit do të tejkalohet nëse Katari heq dorë nga organizimi i Botërorit 2022, ndaj të cilës sot në mëngjes reagoi Shefi i Zyrës për komunikime në Qeverinë e Katarit, Shejh Sejf bin Ahmed bin Sejf el-Thani.
"Mesazhi nga EBA-të është edhe një dëshmi se bllokada e Katarit është frut i zilisë dhe sedrës së palës tjetër dhe se nuk ka asnjë bazë ligjore. Kjo është një përpjekje tjetër për të goditur sovranitetin e Katarit", ka thënë Al Thani.
Ai shtoi se përpjekja për të përfshirë edhe organizimin e Kupës së Botës në debatin e krizës së Gjirit, është një tjetër veprim i pashpresë dhe vicioz i fqinjëve të Katarit.
Kriza e Gjirit u përshkallëzua në fillim të qershorit, kur qeveria e Arabisë Saudite, Bahreinit, Egjiptit, EBA-ve dhe Jemenit, ndërprenë marrëdhëniet diplomatike dhe bllokuan kufijtë me Katarin. Katari akuzohet për mbështetjen e terrorizmit, të cilat Doha zyrtare i mohon dhe akuzat e tilla i vlerëson si të pabaza.
Shtetet e Gjirit i dorëzuan autoriteteve të Katarit një listë kërkesash për zgjidhjen e krizës, përfshirë mbylljen e bazës ushtarake turke, ndërprerjen e bashkëpunimit me Iranin dhe mbylljen e rrjetit medial Al Jazeera.