Ahmed al-Masri,Safiye Karabacak
07 Qershor 2017•Përditësim: 07 Qershor 2017
DOHA (AA) - Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Muhammed bin Abdurrahman Al Sani, ka thënë në lidhje me krizën diplomatike me vendet fqinje, se janë "gati për dialog" dhe "të hapur për ndërmjetësim", transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një lajmi të agjencisë zyrtare të lajmeve të Katarit, QNA, thuhet se shefi i diplomacisë së këtij vendi ka dhënë një intervistë për CNN dhe në fjalën e tij për këtë media, ai është shprehur: "Jemi të gatshëm për dialog dhe që të ulemi të flasim. Nuk jemi super fuqi këtu dhe ne besojmë se problemi nuk mund të zgjidhet përmes forcës".
Al Sani ka përgënjeshtëruar akuzat se vendi i tij "mbështet terrorin".
Shefi i diplomacisë së Katarit, në lidhje me këto akuza tha: "Katari lufton kundër financuesve të terrorit dhe jep kontributin për mbrojtjen e botës nga terroristët potencialë".
Përgjigje për akuzat e Arabisë Saudite
Al Sani ka kundërshtuar dhe nuk ka pranuar akuzën e Arabisë Saudite e cila akuzon Katarin se "përqafon grupet terroriste për prishjen e stabilitetit në rajon".
"Kjo deklaratë është e mbushur me kontradita, sepse thuhet që ne nga njëra anë mbështesim Iranin dhe nga ana tjetër mbështesim grupet radikale në Siri. Nga njëra anë akuzohemi se mbështesim Vëllazërinë Muslimane në Jemen dhe nga ana tjetër thuhet se mbështesim Husitë po në këtë vend. Këto grupe që thuhen në këtë akuzë janë në luftë me njëri tjetrin. Ndërsa akuzat se në ndihmojmë opozitarët në Arabinë Saudite dhe lëvizjet medh'hebike në Katif janë krejtësisht të gabuara. Mes shërbimeve inteligjente të Arabisë Saudite dhe atyre të Katarit ka bashkëpunim. Ky bashkëpunim është i ngjashëm edhe në forcat e sigurisë si dhe kjo gjë ndihmon në sigurinë kombëtare të Arabisë Saudite", tha ai në vijim të fjalës së tij.
Ndërkohë Al Sani ka reaguar edhe në lidhje me deklaratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në rrjetin social Twitter. Al Sani thotë se gjatë takimit të Trump-it me Emirin e Katarit Shejh Temim bin Hamad Al Sani është diskutuar edhe çështja e financimit të terrorit nga disa vende dhe se në këtë takim është vënë në dukje rëndësia e ndalimit të këtij fenomeni.
Al Sani ka thënë gjithashtu se në shumë raporte të publikuar në disa agjenci në SHBA, Katari tregohet si ndihmues në luftën kundër financuesve të terrorit dhe vihen në pah lëvdata për këtë vend.