Serdar Bitmez,Gülşen Topçu
29 Gusht 2019•Përditësim: 29 Gusht 2019
Ministri i Mbrojtjes së Katarit, Khalid bin Mohammad al-Attiyah tha se vendi i tij është i hapur për dialog pa kushte nëse dëshirojnë vendet të cilat zbatojnë bllokadën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë të titulluar "Suksesi i Katarit" në kryeqytetin Doha të Katarit, Attiyah ka folur lidhur me bllokadën e zbatuar ndaj vendit të tij.
Ai tha se Katari ka kapërcyer bllokadën dhe ka filluar procesin e ndërtimit të vendit dhe zgjerimit të marrëdhënieve të jashtme dhe se vendi i tij është duke punuar për të arritur statusin e "vetëmjaftueshmërisë" së tij në çdo fushë.
Attiyah theksoi se ata janë të hapur për dialog pa kushte me vendet që imponojnë një bllokadë ndaj Katarit nëse të njëjtat dëshirojnë.
Ministri Attiyah shtoi se vendi i tij vazhdon të zhvillojë industrinë e mbrojtjes për të qenë i përgatitur kundër çdo rreziku që mund të përjetohet si rezultat i zhvillimeve të fundit në rajon.
Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike dhe zbatimi i bllokadës ekonomike ndaj Katarit më 5 qershor 2017 nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini dhe Egjipti shkaktoi një krizë në rajonin e Gjirit. Ndërkohë thuhet se Kuvajti ka ndërmarrë rolin e ndërmjetësit në këtë krizë.