Bota

Kanadaja do të dërgojë trupa shtesë në Ukrainë

Trudeau tha se Kanadaja gjithashtu do të ofrojë mbështetje për sigurinë kibernetike dhe do të ndajë informacione të inteligjencës "në mënyrë që Ukraina të mund të mbrojë sovranitetin, sigurinë dhe integritetin e saj territorial"

Barry Ellsworth  | 27.01.2022 - Përdıtësım : 27.01.2022
Kanadaja do të dërgojë trupa shtesë në Ukrainë

Trenton

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka njoftuar se vendi i tij do të dërgojë trupa shtesë në Ukrainë së bashku me armë mbrojtëse për të ndihmuar në pengimin e pushtimit rus të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një takimi të kabinetit ku tema kryesore ishte situata në Ukrainë, Trudeau tha se Kanadaja gjithashtu do të ofrojë mbështetje për sigurinë kibernetike dhe do të ndajë informacione të inteligjencës "në mënyrë që Ukraina të mund të mbrojë sovranitetin, sigurinë dhe integritetin e saj territorial".

Aktualisht në Ukrainë ndodhen 200 trupa kanadeze për të ofruar trajnime derisa Kanadaja dhe aleatët e saj të Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) përpiqen të pengojnë një pushtim rus që mund të nxit luftë në Evropën Lindore.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Rusisë që të de-përshkallëzojë situatën dhe të angazhohet në dialog kuptimplotë derisa të arrihet një zgjidhje diplomatike”, tha Trudeau.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka vendosur rreth 100 mijë trupa përgjatë kufirit të vendit të tij me Ukrainën dhe ka kërkuar që Ukraina të mos lejohet të anëtarësohet në NATO.

Kanadaja do të dërgojë gjithashtu 40 milionë dollarë ndihmë, përveç një kredie prej 95 milionë dollarësh tashmë të njoftuar për Ukrainën.

SHBA dhe Britania e Madhe më herët njoftuan se po dërgojnë armë vdekjeprurëse në Ukrainë, por Trudeau tha se Kanadaja po përqendrohet në armët mbrojtëse dhe jo ato sulmuese.

Iniciativa kanadeze vjen pas një njoftimi se SHBA i dërgoi një përgjigje Rusisë ku thotë se nuk do ta përjashtojë Ukrainën nga anëtarësimi në NATO. Përveç kësaj, SHBA tha se nuk do të përmbushë edhe kërkesën tjetër ruse për të hequr armët dhe trupat amerikane nga vendet e afërta.

Njoftimi kanadez gjithashtu vjen pas urdhrit për largimin e anëtarëve të familjes së stafit të ambasadës së saj në Ukrainë. Në fillim të kësaj jave, vendi po ashtu lëshoi ​​një paralajmërim kundër udhëtimeve të panevojshme në vendin e rrethuar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.