Ekip
08 Maj 2019•Përditësim: 09 Maj 2019
Të paktën 5 persona e kanë humbur jetën ndërsa 24 të tjerë janë plagosur, si pasojë e sulmit me bombë dhe armë para zyrës së një organizate të huaj humanitare në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Afganistanit, Nasrat Rahimi, në deklaratën për gazetarët tha se pranë zyrës së organizatës "Counterpart" është kryer një sulm me autobombë.
Sipas tij, dy sulmues kanë hyrë në zyrën e organizatës ku kanë filluar të përleshen me policët. Rahimi tha se pas përleshjes disa orëshe sulmuesit janë neutralizuar.
Ai tha se në sulm humbën jetën 4 civilë dhe një punonjës i sigurisë ndërsa 24 të tjerë janë plagosur.
Në afërsi të ndërtesës së organizatës ndodhet edhe Kryeprokuroria e Afganistani dhe shumë zyra tjera të huaja.
Përgjegjësinë mbi sulmin e mori organizata e talebanëve me pretendimin se "Counterpart" është organizatë amerikane.