Fatma Esma Arslan
16 Shtator 2021•Përditësim: 16 Shtator 2021
Junta ushtarake që më 5 shtator rrëzoi qeverinë në Guine, të mërkurën u takua me përfaqësuesit e misioneve të huaja diplomatike dhe organizatave joqeveritare si pjesë e përpjekjeve për të formuar një qeveri kalimtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas raporteve lokale, koloneli Mamadi Doumbouya, udhëheqës i Komitetit Kombëtar për Tubim dhe Zhvillim (CNRD), u mblodh me krerët e OJQ-ve në ndërtesën e parlamentit.
Doumbouya më pas zhvilloi bisedime me përfaqësuesit e misioneve të huaja me dyer të mbyllura, duke shkëmbyer ide në kontekstin e procesit të tranzicionit.
Bisedimet do të vazhdojnë deri më 17 shtator.
Doumbouya, udhëheqësi i kontrollit ushtarak, ka akuzuar ish-presidentin Alpha Conde se po personalizon politikën dhe nuk po bën sa duhet për të krijuar rrugë ekonomike dhe sociale për popullatën.
Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) u takua javën e kaluar me juntën mbi situatën në Guine.
Ashtu si Unioni Afrikan, ECOWAS dënoi marrjen e pushtetit nga ushtria dhe pezulloi vendin nga blloku.
Conde u rrëzua nga pushteti dhe u arrestua më 5 shtator nga ushtarët e udhëhequr nga Doumbouya, i cili premtoi tranzicion "paqësor" dhe formimin e një qeverie të unitetit kombëtar.