Fatma Esma Arslan
13 Shtator 2020•Përditësim: 14 Shtator 2020
Periudha e tranzicionit në qeverisjen civile pas grushtit ushtarak më 28 gusht në Mali do të jetë 18 muaj dhe se në fund të kësaj periudhe do të shkohet në zgjedhje, transmeton Anadolu Agency (AA).
Junta ushtarake Komiteti Kombëtar për Shpëtimin e Popullit (CNSP) njoftoi vendimin e tij në fund të bisedimeve 3 ditore që u zhvilluan për të përcaktuar detajet e procesit të tranzicionit në qeverisjen civile.
Sipas kësaj, periudha e tranzicionit do të jetë 18 muaj dhe pas kësaj do të mbahen zgjedhjet ndërkohë që u njoftua se presidenti i periudhës së tranzicionit mund të jetë civil ose ushtarak dhe do të zgjidhet nga emrat e përcaktuar nga junta.
CNSP për një kohë po diskutonte mbi udhërrëfyesin për kalimin në qeverisjen civile me përfqësues të organizatave joqeveritare, partive politike dhe platformës së opozitës M5 RFP.
Ndërsa Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) tha se periudha e tranzicionit duhet të jetë jo më shumë se 1 vit dhe i dha afat deri më 15 shtator juntës që të përcaktonte udhërrëfyesin.
Junta ushtarake në Mali
Një grup ushtarësh që u rebeluan në garnizonin e rajonit Kati, 15 kilometra larg kryeqytetit Bamako dhe që kishin rol të rëndësishëm në rrëzimin e ish-presidentit, Amadou Toumani Toure në vitin 2012 më 18 gusht lëvizën drejt kryeqytetit me automjete ushtarake.
Ndërtesat qeveritare dhe institucionet zyrtare u evakuuan ndërsa disa ministra dhe ushtarakë të rangut të lartë u arrestuan.
Presidenti Ibrahim Boubacar Keita u mor nga rezidenca e tij nga ushtarët dhe u dërgua në kazermat në Kati, ku filloi grushti i shtetit ndërsa në mesnatë, nga televizioni shtetëror ai njoftoi dorëheqjen.
Disa orë pas dorëheqjes së Keitas, puçistët njoftuan në televizion se zgjedhjet do të mbaheshin brenda një kohe të shkurtër, duke paralajmëruar një periudhë tranzicioni politik dhe civil.